E Diel, 1 Nëntor 2026

E megjithatë, vizat do liberalizohen

Leonard OLLI

Nëse dikujt titulli i këtij shkrimi i sjell ndërmend frazën e famshme legjendë të Galileut: “E megjithatë ajo (toka) rrotullohet”, përshpëritur para gjyqtarëve inkuizicionistë, nuk gabohet aspak. E kam huazuar në të njëjtin kontekst, me të njëjtën kokfortësi, por edhe referim ndaj një të vërtete po kaq absolute, sikundër është edhe fakti se vizat do të liberalizohen brenda këtij viti. është paksa paradoksale vetëm arsyeja dhe koha e përdorimit të kësaj fraze lapidar.
Prej fillimit të vitit 2010, e në vazhdim, me dhjetëra miq të mi (kryesisht nga ata që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit), më bëjnë vazhdimisht një pyetje: Di gjë të saktë se a do të liberalizohen vizat dhe nëse po, kur? Të lodhur e të stërmunduar nga qindra procedura që u sigurojnë të afërmve të tyre një vizë, me padurim duan të mësojnë se kur do të shpëtojnë nga ky makth. Përgjigjja ime është pozitive. U pohoj se sipas thënieve të autoriteteve shqiptare, por dhe përfaqësuesve të KE-së, liberalizimi i vizave do të realizohet para fundit të këtij viti kalendarik. Një pjesë e tyre gëzohet, ndërsa një pjesë tjetër mbeten skeptikë. Jo se duan të jenë të tillë, por sepse u referohen mjaft të friguar, pretendimeve të pasqyruara në masmedia, në këto dy tre muaj e fundit se, vizat nuk do të liberalizohen brenda 2010-ës dhe kalvari i mundimeve të tyre mund të vazhdojë gjatë. Paradoksalisht, nga disa syresh dëgjojnë se ka “shumë arsye” se pse vizat nuk duhet të liberalizohen, pra se shqiptarët nuk janë të “pjekur” për të lëvizur të lirë në Evropë.
Nëse thënie të tilla do të dilnin nga gojët e politikanëve ekstremistë evropianë apo dhe qarqeve të njohura antishqiptare, askush nuk do të habitej. Por, kur ky fakt thuhet nga përfaqësues të politikës shqiptare, nga ndonjë “përfaqësues” i shoqërisë civile apo dhe “mjeshtërisht” e me “finesë” përcillet dhe nga një pjesë e masmedias (për fat të mirë shumë e kufizuar), atëherë kemi të bëjmë me një fenomen të frikshëm. Një fenomen i cili vë në dyshim jo vetëm ndërgjegjen tonë kombëtare, por vetë ekzistencën tonë kombëtare. është skandaloze (për të mos përdorur tjetër epitet), të dëgjosh shqiptarë, që pohojnë se bashkatdhetarët e tyre janë të “paaftë” për të lëvizur të lirë në Evropë, e nuk do të dinë si ta menaxhojnë këtë liri. Një pjesë justifikohen me faktin se do të shkojnë e s’ do të kthehen më, ndërsa nga goja e një përfaqësuesi të opozitës u tha se liberalizimi i vizave rrezikon një eksod të ri të “trurit” të kombit (!!!). Në mjaft raste të tjera i mëshohet faktit se çfarë ndodh në vendet e rajonit, ku ky proces ka përfunduar, si për të paralajmëruar Evropën se nga Shqipëria e keqja do të jetë shumë më e madhe (!!!). E përsëris: është e frikshme! A mundet të urresh vetveten deri në këtë masë?! A mund të pranosh se shoku yt, miku yt, i afërmi yt nuk duhet të gëzojë një drejtë kaq minimale sikundër është lëvizja e lirë, si një qytetar i lirë, në një botë të lirë?
Si mundet dikush të përpiqet indirekt (por dhe direkt në mjaft raste), të sjellë argumente se pse Evropa nuk duhet të lejojë që qytetarët shqiptarë të lëvizin të lirë në territorin e saj? Përgjigjja, për fat keq është: Po. Ka disa që jo vetëm përcjellin të tilla opinione paradoksale, absurde, që trazojnë rëndë këtë aspiratë kombëtare, por që dashje pa dashje çojnë ujë në mullirin e të gjitha qarqeve antishqiptare. Madje çdo përpjekje për të “ngritur” opinione të ngjashme, mund të konsiderohet shumë herë më e rrezikshme për të vërtetën se vetë gënjeshtrat. është e turpshme që për interesa meskine, minimaliste të nxitësh situata të tilla. çdo kush duhet të kuptojë qartë se liberalizimi i vizave, nuk është çështje apo objektiv madhor vetëm i një individi, një partie apo një pjese të shoqërisë sonë, por është çështje, kauzë, aspiratë e të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Edhe sikur t’i referoheshim shprehjes së famshme shekspiriane: “Për interesat personale vetë djalli mund të citojë biblën”, sërish nuk gjen forcë të justifikosh qëndrime të tilla. Do të ishte krejt normale nëse ngrihej zëri e thuhej se çfarë nuk po bëhet mirë, nëse tregoheshin pikat se ku po çalojnë autoritetet në plotësimin e detyrave që ka caktuar Evropa, pra kritika të kishte karakter konstruktiv dhe të ndihmonte përshpejtimin e procesit. Në fakt ndodh krejtësisht e kundërta. Minimizohen reformat dhe efektet e tyre pozitive, plotësimi i detyrimeve që do të çojnë në liberalizimin e vizave, madje shkohet deri në mohim të gjithçkaje. Në një keqinterpretim të plotë të thënies niçiane se ‘nuk ka fakte, por vetëm interpretime’, disa po përpiqen më kot të pengojnë me aq sa mundin apo t’i venë shkopinj nën rrota ekspresit “Shqipëri-Evropë”. është një mund i kotë nga ana e tyre, pasi kjo djallëzi vjen vetëm nga dobësia dhe si e tillë nuk mundet të ndalë një lëvizje të tillë “galaktike”. Ashtu sikundër inkuzitorët e mesjetës nuk mund të ndalin zhvillimin, përparimin e njerëzimit, kështu dhe këta “inkuizitorë” të ditëve tona nuk mund të ndalin me asnjë mënyrë ecjen para të Shqipërisë, të shqiptarëve edhe sikur realisht të kërcënonin me djegien në turrat e druve. Evropa nuk na pranon në gjirin e saj për mëshirë, por si të barabartë mes të barabartëve. Vetëm një vit më parë, NATO e demonstroi qartë këtë fakt. Si “heretikë” të pandreqshëm shqiptarët garantojnë këdo dhe pohojnë jo duke pëshpëritur, por duke bërtitur me të madhe se: “E megjithatë, vizat do të liberalizohen...”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›