Reagon Limaj: Jam i gatshëm të bashkëpunoj me hetimet
Shumë orë pasi shtëpia dhe ministria e tij u bastis nga forcat e antikorrupsionit të misionit evropian, Ministri i Transporteve dhe Telekomunikacionit në Kosovë, Fatmir Limaj ka deklaruar për mediat se është i gatshëm të bashkëpunojë në procesin e hetimit të hapur nga EULEX. Pa ofruar detaje për përfshirjen e tij në çështje korrupsioni apo jo, Limaj tha se përparësi është ndërtimi i shtetit ligjor. Të mërkurën pasdite u bastis ministria dhe pronat e tij në Malishevë e Prishtinë.
“I gatshëm për bashkëpunim”
Ministri Limaj tha se i jep përparësi ndërtimit të shtetit ligjor dhe se do të mbështesë sundimin e ligjit në Kosovë, megjithëse nuk saktësoi se për çfarë hetimesh bëhet fjalë. Deklaratat e tij u bënë orët e para të mëngjesit të së enjtes, pas një mbledhjeje të gjatë të Qeverisë së Kosovës me pjesëmarrjen e shefit të EULEX-it, Iv de Kermabo, Ambasadorit amerikan, Kristofer Dell dhe disa përfaqësuesish të vendeve perëndimore.
Hetohen tenderët e rrugëve
Kontrollimi i tenderëve për ndërtimin e rrugëve në Kosovë, të periudhës 2007-2009, është shkas i bastisjes në ministri dhe disa banesave private të personave nga kjo ministri. Zëdhënësja e EULEX-it për Drejtësinë, Kristina Herodes nuk dha detaje nëse deri më tani ka të dyshuar apo të arrestuar në këtë operacion të EULEX-it.
Pa lajmërim
Zëdhënësja tjetër e EULEX, Karin Limdal, tha për BBC-në se misioni nuk i ka paralajmëruar autoritetet vendore për planin, për të ruajtur fshehtësinë e aksionit policor. Ajo këmbënguli se EULEX-i nuk po merr udhëheqjen në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë dhe u bëri thirrje institucioneve vendore të rendit dhe ligjit, që të vihen në krye të kësaj “lufte”.
Opozita nxit
EULEX-in
Partitë opozitare në Kosovë i kanë mbështetur veprimet e EULEX-it dhe të organeve të tjera përgjegjëse për trajtimin e të gjitha rasteve të dyshuara për korrupsion apo keqpërdorim të parasë publike. Duke mos dashur të ndërlidhen vetëm me zhvillimet e djeshme, kur EULEX-i bastisi Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit, si dhe lokacione të tjera në Prishtinë, ndër to edhe shtëpinë ku banon ministri Fatmir Limaj, zyrtarë të opozitës thanë se nuk i pëlqejnë spektaklet, por veprimet kundër secilit rast të dyshuar për korrupsion apo keq-menaxhim.
“Askush mbi ligjin”
Zëvendëskryeministri, Ramë Manaj tha se askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe se institucionet do të vazhdojnë t’i kryejnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. “Institucionet i ushtrojnë përgjegjësitë e tyre në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës dhe natyrisht që janë të thirrura që t’i ushtrojnë ato përgjegjësi. Askush s’mund të vihet mbi ligjin. Duhet t’i lëmë institucionet që ta kryejnë punën e tyre dhe të shohim se cilat do të jenë përfundimet”, tha Manaj.