E Shtunë, 31 Tetor 2026

30 të vrarë gjatë luftimeve në Mogadisho

Së paku 30 persona janë vrarë, si pasojë e luftimeve më të reja ndërmjet kryengritësve islamikë në njërën anë dhe forcave të qeverisë somaleze dhe paqeruajtësve të Unionit të Afrikës në anën tjetër, të cilat u zhvilluan sot në kryeqytetin e Somalisë, Mogadisho, kanë njoftuar banorët lokalë dhe punëtorët shëndetësor.

Dëshmitarët theksuan se kryengritësit kanë sulmuar me mortaja aeroportin ndërkombëtarë, në momentin kur presidenti Sharif Ahmed po nisej për një vizitë në Ugandë, duke detyruar paqeruajtësit e Unionit të Afrikës që të kundërpërgjigjen me artileri.

Burimet shëndetësore theksuan se së paku 30 persona janë vrarë, ndërsa me dhjetëra të tjerë janë lënduar si pasojë e shkëmbimit të zjarrit.

Burimet e Unionit të Afrikës theksuan se presidenti Ahmed nuk është lënduar gjatë kësaj përleshje. Farah Olov, një shitës në tregun Bakara, theksoi se gjashtë persona kanë vdekur, pasi që një predhë ka shkatërruar një shtëpi afër tregut.

Që nga fillimi i vitit 2007, si pasojë e luftimeve në Somali janë vrarë mbi 19 mijë civilë, ndërsa 1.5 milionë tjerë janë zhvendosur. Agjenci perëndimore të sigurisë kanë theksuar se Somalia është shndërruar në një qendër të militantëve, përfshirë këtu edhe ata të huaj, të cilët po e shfrytëzojnë këtë shtet për të përgatitur sulmet e tyre në gjithë rajonin dhe përtej.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›