E Shtunë, 31 Tetor 2026

30 vjet MTV

Nga Express më 02 gusht 2011 në ora 11:20

Më 1 gusht u mbushën 30 vjet prejse, bashkë me xhirimin e lansimit të programit të Space Shuttle dhe aterrimin e misionit Apolo11 në Hënë, nga studioja në New Jersey, MTV filloi transmetimin e tij. E tëra filloi kur John Lack shqiptoi fjalinë e tij të famshme: "Ladies and gentlemen, let’s rock and roll!"

Video klipi i parë që u emitua ishte ai i këngës së grupit The Buggles, i quajtur "Video Killed A Radio Star", ndërkohë që në atë ditë historike programi përfundoi me këngën e Led Zeppelin "Carouselambra".

Televizioni më i madh muzikor i shënoi tri dekada të ekzistencës përmes premierës së video klipit 15-minutësh të këngës "Thriler", të Michael Jackson, nga viti 1983, e cila konsiderohet si ngjarja e parë e madhe që shënoi bashkimin e një klipi muzikor dhe filmit. Publikut sigurisht që i kujtohet edhe paraqitja live dhe tejet kontroverse e Maddona’s, me këngën "Like A Virgin", të cilën ajo e interpretoi gjatë ndarjes së parë të Shpërblimeve të MTV’së, në vitin 1984.

Nuk duhet harruar as seria e klipeve promovuese të vitit 1982, në të cilat yjet e asokohshme të pop dhe rok muzikës nga të dy anët e Atlantikut brohorisnin sloganin “I Want My MTV”, derisa synonin të bindnin operatorët e televizioneve lokale kabllore që këtë kanal muzikor ta fusnin brenda ofertave të tyre programore.

Asokohe u emitua edhe promoja e MTV’së, "Moonlanding", në të cilën një astronaut vendos flamurin e MTV’së në Hënë, përderisa në prapavijë dëgjohen tingujt e kitarave të Jonathan Elias dhe John Petersen.

Të gjitha këto ngjarje, sipas përfaqësuesve të MTV, e shënuan, por edhe e ndryshuan përgjithmonë, pop-kulturën moderne në botë.

Sot MTV është rrjeti televiziv muzikor numër një, me mbi 150 kanale televizive dhe me 400 shërbime digjitale në gjithë botën, sepse çdo kanal rajonal televiziv i tij në botë kombinohet me sukses me kulturat lokale, gjegjësisht me interpretues lokalë dhe me shijet specifike të rajoneve të ndryshme.

Versioni evropian i MTV’së ka filluar të emitohet më 1 gusht 1987, nga studioja në Amsterdam (Holandë), megjithëse më vonë produksioni është bartur në Londër. Ndërkaq, video klipi i parë i emituar ishte ai i këngës "Money For Nothing", i grupit britanik Dire Straits.

Me rastin e jubileut, MTV do t’iu shtojë seksioneve ‘Download’ të web-faqeve të tij rajonale edhe një MTV Player – gjegjësisht një bazë unike të 1,800 klipeve të interpretuesve të ndryshëm.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›