E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeta në pasqyrë

Nga Express më 02 gusht 2011 në ora 12:00

Ajo është bukuri që mbahet mend. Është nga ato vajza që njëherë ta shohësh nuk e harron. 20 vjet më parë me brishtësinë e moshës, Valbona Çoba mori pjesë në konkursin e parë të bukurisë dhe aty jeta e saj u nda në; para dhe pas miss-it..

Ju kujtohet momenti kur keni vendosur për herë të parë kurorë në kokë, çfarë nostalgjie ke?
Më kujtohet posi jo. Mbaj mend që nuk isha e gëzuar aspak sepse në të vërtetë dëshiroja vendin e parë. Po kjo ishte atëherë. Tani, kur kthej kokën pas e shikoj çfarë rruge mori karriera ime dhe nëse atëherë do e dija çfarë do ndodhte më pas me mua, nuk do isha mërzitur aspak. Gjithsesi mbetet akoma një kujtim i bukur!

Nga një vajzë tashmë jeni një “grua”. E ndjeni diferencën?
Sigurisht që jeta ime tani nuk është njëlloj si më parë, për shumë arsye. Tani kam më shumë përgjegjësi si individ sepse shtohet përgjegjësia e familjes, por nuk e ndjej aspak diferencën e termave midis “grua” dhe “vajzë”. Unë ndihem akoma vajzë. Mendoj që ky ndryshim vjen nga mënyra se si ndihesh në shpirt.

Jeni martuar vetëm disa muaj më parë, si po shkon martesa?
Faleminderit për këtë pyetje. Po shkon shumë mirë. Por ne kishim disa vite që bashkëjetonim kështu që për mua o martesa ndryshoi vetëm gjendjen civile timen, por jo marrëdhënien tonë.

Erdhi martesa në kohën e duhur, në momentin e duhur?
Në të vërtetë martesa s’ka qenë aspak në planet mia. Asnjëherë nuk e përfytyroja veten të martuar. Ndoshta kjo kishte të bënte me tipin tim shumë të pavarur, se di… patjetër që erdhi personi i duhur në momentin e duhur.

Dhe pas martesës pritet një fëmijë. Valbona është gati të bëhet nënë?
Nuk mund të them se sa shpejt do vijë, po absolutisht është në planet tona.

Është e vështirë të jesh femër e bukur?
Ndoshta pyetje e çuditshme, por mund të qëndrojë. Asnjëherë nuk është vetëm keq ose vetëm mirë. Ka elokuencat e saj dhe të qenit i/e bukur. Sigurisht që shumë dyer hapen më lehtë..

Kur keni pasur vështirësi nga të qenit e bukur?
Të qenit modele e bukur dhe e suksesshme, sidomos më parë, vinte dorë për dore me mendimin që s’mund të ofrojë më shumë se kaq. Gjithmonë më ka revoltuar ky mendim. Për shembull, kur diskutoja për ndonjë libër filozofik dhe shihja fytyra të çuditura që mendonin se si kishte mundësi që një modele të lexojë një libër filozofik. Ndërsa për mua ishte absurde të mos lexoja libra të tillë, për shumë të tjerë ishte një çudi që unë i lexoja vërtet.

Jeni penduar ndonjëherë që i jeni futur kësaj rruge?
Jo, asnjëherë. Kam menduar që të kisha bërë disa gjëra ndryshe, p.sh të kisha ardhur në Amerikë më parë. Por, kurrsesi nuk e kam çuar nëpër mend që “ç’pata që ju futa kësaj rruge”.

Jeta juaj, sidomos pas përzgjedhjes si misi i parë shqiptar, ka qenë intensive dhe impenjative, por në fakt kur mendoni, ju kujtohet fëmijëria juaj, shoqet, çfarë mbani mend nga ajo kohë ?
Patjetër që më kujtohet. Unë s’do isha një person i formuar pa këtë pjesë të jetës sime. E kam ndarë fëmijërinë ose jetën në Shqipëri në dy pjesë: përpara dhe pas mis-it

Keni kontakte me miqtë e fëmijërisë ?
Posi jo. Faleminderit facebookut nëpërmjet të cilit u lidhëm sërish. Kisha kontakt të vazhdueshëm vetëm me dy prej tyre. Por tani jam në kontakt me të gjithë. Disa prej tyre erdhën në dasmën time dhe ishte vërtetë prekëse për mua ta ndaja këtë moment të jetës me ta.

Fakti që keni udhëtuar shumë , çfarë ju ka mësuar?
Shumë. Çdo udhëtim, çdo shtet, çdo qytet ka qenë një eksperiencë më vete.

Është kjo jeta që keni ëndërruar?
Kur isha e vogël merrja prizën e hekurit dhe bëja sikur drejtoja emision televiziv përpara pasqyrës. Kisha ëndërruar të jem pjesë e jetës televizive dhe filmit. Por kurrsesi s’kisha menduar të arrija kaq brenda tyre

JETA E NJË MISSI
Ishte viti 1991. Ajo ishte adoleshente. Në këtë kohë mori rrugën për të qenë pjesë e spektaklit të parë të bukurisë femërore në Shqipëri “Miss Albania”, kur u shpall “Mis fotozhenia”. Zgjedh Greqinë, ku për disa vite punon me ngulm për të hyrë në radhët e fotomodeleve më të njohura në Athinë. Dhe në Greqi gjithçka nis me një konkurs bukurie, ku Çoba shpallet “Mis Trupi më i bukur ’95″ . Për shumë vite ajo renditet në radhën e dhjetë modeleve më të njohura në tokën helene, ku ka pasur mundësinë të bëjë një karrierë vërtet të mirë. Merr pjesë në shumë shou të ndryshme televizive, organizuar nga kanali më i njohur në Greqi, ANT 1. Më pas mendon se këtë rrugë duhet ta vazhdojë në një vend ku karriera e fotomodeles është më e vështirë, por nëse fitohet është edhe më e sigurt. Zgjedh Nju Jorkun, e në pak kohë ia arrin të dalë në pozicionin që dëshiron. Sot është e kënaqur që gjendet në Amerikë dhe shprehet: “si nuk ika më parë në Amerikë”. (standard)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›