31-vjetori i Ditës së Pavarësisë, Meta: Vlerat europiane do të triumfojnë në Ukrainën e pavarur

Në kuadër të 31-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka shprehur mbështetjen ndaj popullit ukrainas që prej 6 muajsh po përballet me luftën ruse.
Meta shkruan në rrjetin social Facebook se lufta, dhuna, veprimet armiqësore, nuk mund të pranohen si normalitet i marrëdhënieve mes shteteve sovrane në kohët që jetojmë.
“Në këtë 31-vjetor të Pavarësisë, bota gjen frymëzim tek rezistenca patriotike e qytetarëve të Ukrainës, në luftën e tyre të drejtë ndaj agresionit ushtarak rus. Lufta, dhuna, veprimet armiqësore, nuk mund të pranohen si normalitet i marrëdhënieve mes shteteve sovrane në kohët që jetojmë. Ukraina e lirë dhe pavarur është gjithashtu me rëndësi kyçe për paqen, sigurinë, prosperitetin ekonomik të Europës dhe të botës.
Të bashkuar në solidaritet, ne qëndrojmë të rreshtuar me aleatët perëndimorë, në mbështetje të popullit ukrainas, drejtuesve dhe institucioneve legjitime të saj, deri në garantimin tërësor të lirisë e paqes për Ukrainën dhe mbarë botën. Vlerat europiane do të triumfojnë në Ukrainën e pavarur”, shkruan Meta.
/rtsh.al/