E Shtunë, 31 Tetor 2026

324 apartamente për të pastrehët në Durrës



Qeveria, fonde për ndërtimin e pallateve të reja

KE, 3.5 milionë euro për strehimin në Durrës

Në vitin 2010, më shumë se 300 familje të pastreha do të mund të përfitojnë një shtëpi banimi në qytetin e Durrësit. Këshilli Bashkiak ka marrë vendimin për ndërtimin e këtyre pallateve, që do të financohen nga Këshilli Evropian, si edhe nga qeveria e vendit. Pas ndërtimit të këtyre banesave, familjet e pastreha do të mund të përfitojnë shtëpinë me kushte të mira dhe kredi afatgjatë, interesi i së cilës paguhet nga shteti.

Sipas specialistëve të bashkisë, qeveria shqiptare ka mbajtur premtimin për zbutjen e problemit të strehimit në Durrës, duke mundësuar ndërtimin e 324 apartamenteve të reja, si dhe duke zhbllokuar situatën e nderë të krijuar prej 3 muajsh mes bashkisë së qytetit dhe firmave ndërtuese. Punimet për ndërtimin e pallateve për të pastrehët e qytetit të Durrësit kanë nisur dy ditë më parë pas një periudhe bllokimi midis disa firmave të ndërtimit dhe donatorëve ndërkombëtarë.

Projekti

Një projekti i KE-së për të pastrehët e Durrësit është mbajtur i bllokuar për 3 muaj me radhë për shkak të ankesave që disa firma ndërtimi depozituan pranë qeverisë. Por, dy ditë më parë gjërat janë qartësuar dhe puna për ndërtimin e pallateve ka nisur.

KE-ja nëpërmjet CEB-it (Banka e Këshillit të Evropës) ka dhënë 3,5 milionë euro për ndërtimin e pallateve për të pastrehët e Durrësit. Ka qenë qeveria shqiptare ajo që mundësoi bashkëpunimin e CEB-it me Bashkinë e Durrësit. Në projekt janë parashikuar të ndërtohen 10 pallate ose 342 apartamente.

Tre muaj më parë u krye tenderimi për fillimin e punimeve, por për shkak të ankesave që paraqitën disa firma ndërtimi, të cilat u skualifikuan në tender, ato u shtynë derisa partnerët ndërkombëtarë më në fund vendosën veton për fillimin e punimeve. Pallatet do të ndërtohen në një territor me sipërfaqe 11 800 m2 i cili gjendet pranë Drejtorisë së Ujësjellësit të Durrësit.

Kushtet e kredisë

Në qytet janë 2500 familje të cilat gëzojnë statusin e të pastrehut. Një pjesë prej tyre do të mund të përfitojnë nga ky projekt. Kredia e CEB-it është me terma shumë të buta dhe do të nisë të shlyhet pas 11 vjetëve. Apartamentet do të jenë 1+1 dhe 2+1. Banorët që do të strehohen në pallatet 2+1 do të paguajnë për çdo muaj 52 euro, ndërsa ata të 1+1 shumën prej 36 eurosh derisa të shlyhet kredia. Ky është projekti më i madh për strehimin që realizohet në Durrës pas viteve ’90.

Me anë të këtij projekti pritet të zbutet ndjeshëm një nga problemet kryesore të qytetit bregdetar, ai i strehimit. Hyrja në shtëpi e 320 familjeve të pastreha do të pasohet edhe me projekte të tjera për zbutjen e këtij problemi, siç ka paralajmëruar jo vetëm pushteti vendor, por edhe qeveria shqiptare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›