E Diel, 1 Nëntor 2026

Grosistët rrisin çmimet e produkteve ushqimore, ndërhyjnë Tatimet



Çmime joreale nga grosistët e ushqimeve

Tatimet nisin kontrollet për zbulimin e abuzimeve

Prodhimet ushqimore, të cilat mbushin tregun, kryesisht ato që vijnë nga importi, kanë pësuar rritje çmimesh nga tregtarët grosistë, kryesisht të huaj. Burime nga agjencitë doganore e spedicionere në Durrës, të cilat merren me transportin e produkteve ushqimore me kamionë të tonazhit të lartë, deklaruan për “standard” se “rezulton se në total rritja arrin në 30 për qind e krahasuar me një muaj më parë, ndaj duhet ndërhyrje urgjente e institucioneve të shtetit, për të mos rënduar xhepat e konsumatorëve”.

Abuzimi

Nga dogana e Durrësit hyjnë deri 50 për qind e mallrave ushqimore, të cilat më pas shpërndahen në të gjitha tregjet e vendit. Çmimet e prodhimeve të tilla, si perime dhe fruta, janë rritur në mënyrë të ndjeshme në vende të tilla si Italia dhe Greqia. Grosistë të këtyre vendeve u kanë deklaruar kolegëve e tyre shqiptarë se “rritja ka qenë e kushtëzuar nga situata e krijuar prej krizës financiare botërore”.

Në këto kushte, tregtarët tanë kanë reduktuar kërkesat e tyre, duke pakësuar sasitë e frutave dhe zarzavateve apo duke hequr fare nga lista disa prej tyre. Kështu, rritje në tregjet e huaja kanë pësuar agrumet, mollët, dardhët, rrushi, domatet, trangujt, lakra, lulelakra, patëllxhanët, sallata, si dhe të tjera produkte të tokës.

Në total rritja e çmimeve të tyre është 30 për qind më e lartë, krahasuar me një muaj më parë. Nga ana e tyre, tregtarët shqiptarë, për të mos krijuar luhatje të mëdha në tregun e brendshëm, si dhe për të mos krijuar stoqe me këto prodhime, kanë preferuar blerjen e produkteve të cilësisë së dytë dhe të tretë.

Çmimet

Rritje çmimesh gjithashtu jashtë vendit kanë pësuar edhe produktet e nënproduktet e mishit. Rritja e tyre është luhatur nga 20 për qind, kjo rritje ka dhënë ndikimin e saj në rritjen e çmimeve të produkteve blegtorale vendase. Ndërkohë, në bursën ndërkombëtare kanë pasur stabilitet çmimet e drithërave dhe ato të vajit ndryshe nga një vit më parë. Në doganën e Durrësit deklaruan për “standard” se “një situatë e tillë në tregun agro-blegtoral do të jetë e përkohshme. Ajo mund të zgjasë deri në muajin qershor kur në treg do të shfaqen prodhimet e fermerëve tanë, këto produkte mbulojnë një pjesë të kërkesave të tregut shqiptar”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›