Edi Rama shmang figurat e PS-së në ekipin e tij elektoral
Paraqet programin qeverisës dhe ekipin që do e zbatojë
Në krah të tij, të rinjtë e ardhur në PS pas tij
Edi Rama ka zgjedhur ekipin më të afërt elektoral, që presupozohet të jetë ekipi i tij i qeverisë në rast të fitores së zgjedhjeve. Ashtu siç pritej, ai ka shmangur figurat më të vjetra të kësaj partie, duke zgjedhur krah tij njerëzit e besuar që erdhën në selinë rozë pas marrjes së drejtimit nga Rama. Nuk mund ta kuptojmë ndryshe, veçse si një zgjedhje të qëllimshme të “4 muskëtierëve” për t’ia paraqitur publikut si ekipin e tij elektoral në daljen e djeshme publike gjatë prezantimit të programit qeverisës. Ilir Beqja, nënsekretar për programin, Ervin Bushati nënsekretar për programin, Ledi Shamku, sekretare për arsimin dhe kulturën dhe Ylli Manjani, sekretar për çështjet ligjore, ishin dje të ulur krah kryetarit të partisë, në një dalje të pazakontë të tij për mediat, ku ka zgjedhur të mos jetë vetëm. Programi qeverisës është një nga shtyllat më të forta të një partie politike në fushatën zgjedhore, pasi përmban premtimet e saj për të qeverisur vendin në një mandat 4-vjeçar nëse vjen në pushtet. Pikërisht për këtë arsye, prezantimi i programit me 4 të rinjtë e PS-së në krah e bën të qartë për votuesit se ata do të jenë njerëzit më të besuar të kreut të PS-së në zbatimin e tij programi. Ai mund të zgjidhte fare mirë të kishte në krah njerëz që kanë qenë në PS që nga viti 1991 apo të tjerë që kanë qenë ministra apo kryeministra. Por dje pranë Edi Ramës, kandidat për Kryeministër i ardhshëm i PS-së, nuk ishte as Gramoz Ruçi, as Pandeli Majko, as Ben Blushi, madje as kryetarja e grupit kuvendor, Valentina Leskaj, duke vënë në pikëpyetje të ardhmen e tyre në partinë që vetë ngritën dhe ndërtuan. Megjithëse meritën në mënyrë de facto ua faturoi vetëm katër vetëve që kishte në krah, Rama e ka cilësua programin e socialistëve si fryt të debateve me bazën. “Ky program është fryt i bisedave, diskutimeve, analizave e debateve me bashkëqytetarët e me ekspertët shqiptarë e të huaj gjatë 18 muajve të “Dialogut me Shqipërin디, - tha ai. Duke folur për këtë program, Rama tha se “programi i zbërthyer sipas fushave është rreth 1000 faqe, por në komunikimin me publikun ne do të prezantojmë një sintezë, të fokusuar në 7 drejtimet themelore. Nga ana tjetër, do të ketë një plan prej 100 masash për reformimin e qeverisjes”. Pikat kryesore për të cilat flet programi i PS-së janë arsimi, nxitja e prodhimit vendas, një politikë të re për fshatin, shëndeti, mjedisi.
Diçitura e fotos
Ilir Beqja, nënsekretar për programin
Ervin Bushati, nënsekretar për programin
Ledi Shamku, sekretare për arsimin dhe kulturën
Yllio Manjani, sekretar për çështjet ligjore