Postblloqe në bregdet për të shmangur aksidentet
Nga dita e shtunë e deri në fund të sezonit veror, plazhi i Durrësit do të mbikëqyret me postblloqe të lëvizshme në të gjithë shtrirjen e tij. Burime nga Policia e Qarkullimit Rrugor thanë për “standard” se “aksioni i nisur synon të ndalë qarkullimin e makinave në rërën e plazhit, por ndryshe nga më parë, drejtuesit e automjeteve janë gjobitur me shuma që varionin nga 1 mijë deri 5 mijë lekë të reja për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, deri në orën 14:00 ishin vendosur 116 gjoba të tilla”. Kjo masë u morë nga uniformat blu pas aksidentit të ndodhur tre ditë më parë, kur një fëmijë 12-vjeçar mbeti i vdekur nën rrotat e një makine, teksa luante me shokët në rërën e plazhit. Ndërkohë në bashki po shqyrtojnë një plan studimi, sipas të cilit po shihet mundësia e zënies me blloqe betoni e të gjitha hyrjeve të plazhit, në mënyrë që qarkullimi i automjeteve të bëhet i pamundur. Mund të ngrihet vetëm një i tillë, i cili do të pajiset me elementët e një postblloku, ku do të mund të hyjnë e të dalin automjetet e shërbimit, të tilla si makinat e pastrimit të rërës, ato të plehrave si dhe ato që furnizojnë lokalet. Por të gjitha sipas një orari të caktuar nga institucioni vendor.