E Shtunë, 31 Tetor 2026

33 civilë të vrarë pas një sulmi ajror në Afganistan

Kabineti i Afganistanit ka theksuar se së paku 33 civilë janë vrarë, si pasojë e një sulmi ajror të ndërmarrë nga forcat e NATO-s në jug të Afganistanit.

Në kumtesën e lëshuar sot, Këshilli i Ministrave të Afganistanit ka dënuar ashpër sulmet ajrore, duke theksuar se ato janë të “pajustifikueshme”.

Kabineti njoftoi se informatat e para lënë të kuptojnë se aeroplanët e NATO-s kanë sulmuar të dielën një konvoj, të përbërë nga tri automjete, duke vrarë me këtë rast së paku 33 civilë, përfshirë këtu edhe katër gra dhe një fëmijë.

Më tutje u theksua se 12 persona tjerë janë lënduar pas sulmit kundër konvojit, i cili po udhëtonte në drejtim të Kandaharit.

NATO-ja ka konfirmuar se aeroplanët e vet kanë hapur zjarr në drejtim të një grupi të supozuar të kryengritësve, në provincën e Uruzganit, por qartësoi se më vonë ka zbuluar se si pasojë e këtij sulmi janë lënduar edhe gra dhe fëmijë.

Në ndërkohë është njoftuar se qeveria afgane dhe NATO tashmë kanë filluar hetimet në lidhje me këtë incident.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Zemeri Bashery, theksoi se incidenti ka ndodhur në brezin kufitar mes Uruzganit dhe provincës Day Kundi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›