E Diel, 1 Nëntor 2026

“3D” në RTSH, deputeti i PD-së, Cara: ‘Foltorja’ jo çështje numrash, Balluku ka ‘derdhur kupën’

Emisioni “3D” në RTSH, nga Alban Dudushi, pati në qendër të diskutimit formatin e aksionit të fundit të opozitës, të cilësuar si “Foltorja, sipari i protestave”. I ftuar në panel ishte deputeti i PD-së, Igli Cara, së bashku me analistët Brisida Gjikondi, Ilir Kalemaj dhe Aleksandër Çipa.

Deputeti Cara sqaroi se tubimi i fundit para Kryeministrisë është konceptuar si një foltore parlamentare e zgjeruar dhe jo si një protestë tradicionale e madhe në numër.

“E kemi konceptuar të tillë që ta mbajmë të ndezur fushatën e denoncimeve në këtë formë organizimi,” tha Cara.

Ai theksoi se çështja e zëvendëskryeministres Belinda Balluku ka “derdhur kupën” dhe e justifikoi daljen në rrugë me mungesën e të drejtave brenda Parlamentit, si heqja e fjalës dhe rrëzimi i kërkesave për komisione hetimore.

„Menduam të ishte e tillë si fillim në Tiranë dhe më pas pse jo mund të shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Çështja Balluku ka „derdhur kupën“. Kemi probleme me parlamentin, si heqjen e fjalës, e drejta për komisione hetimore etj. Nuk është çështje numrash protesta para kryeministrisë. E kemi konceptuar si të tillë si foltore. E kemi konceptuar të tillë që ta mbajmë të ndezur fushatën e denoncimeve në këtë formë organizimi“, tha Cara.

Arsyet për aksionin në rrugë

Cara argumentoi se opozita detyrohet të dalë në rrugë kur i mohohet e drejta ligjore brenda Kuvendit. Sipas tij, PD kërkon që Balluku të mos ketë funksion qeverisës, me shqetësimin se mund të prishë prova, duke e krahasuar situatën me masat e marra ndaj ish-liderëve të tjerë.

“Po më hoqe fjalën dhe komisionet hetimore do të më duhet të dalë në rrugë,” tha Cara, duke shtuar se opozitës i duhen dhënë të drejtat kushtetuese.

Lidhur me efikasitetin, deputeti i PD-së beson se ky format do të japë rezultat, ndonëse e pranoi se opozita është “e vonuar” dhe duhej ta kishte nisur këtë aksion më parë.

„Ne besojmë se ka ndikim një organizim i tillë sepse kemi pas rezultate po ti referohesh edhe Veliajt. Mendoj se jemi të vonuar, pasi duhej ta kishim nisur më parë. Kemi pasur dhe më parë numra protestuesish, por nuk kanë dhënë rezultat. Kjo formë jemi të bindur se do të japë rezultat.“, tha ai.

Sipas tij, ndonëse kemi Ballukun të pandehur, ndaj saj nuk merren masa si për Metën, Berishën që të mos prishë prova.

“Ne duam që ajo të mos ketë funksion qeverisës sepse mund të prishë provat. Ne kemi kërkuar disa komisione hetimore parlamentare dhe këto kërkesa na janë rrëzuar. Për çfarë është opozita? Të drejtat që ka opozita i duhen dhënë. Po më hoqe fjalën dhe komisionet hetimore do të më duhet të dalë në rrugë.”, tha Cara.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›