Çipa në “3D”: Fati i shoqërisë i nënshkruar nga bipolariteti. Problemi është se po rritet mosbesimi ndaj politikës

Analisti Aleksandër Çipa, i ftuar në emisionin “3D” në RTSH nga Alban Dudushi, ngriti shqetësimin mbi nënshtrimin e fatit të shoqërisë shqiptare ndaj bipolaritetit politik, duke theksuar dështimin e çdo tentative për të krijuar një pol të tretë.
Çipa iu referua aksionit të fundit të opozitës si “Foltorja”, duke vënë në dyshim efikasitetin e formatit aktual:
“Nuk është se kemi skepticizëm ndaj opozitës. Problemi është se po rritet mosbesimi ndaj saj. Edhe përfaqësuesit e një brezi të ri, gjoja për ndryshim, nuk ngjallin besim,” deklaroi Çipa.
Analisti theksoi se kritika ndaj ish-Kryeministrit Sali Berisha nuk është fiksim, por shkon drejt identifikimit të tij si faktor pengues për opozitën.
“Ne mbajmë në fuqi kritikën ndaj Berishës, për stanjacionin që ai ka krijuar në krye të opozitës. I mëshojmë kësaj sepse ai është faktor. Ai është faktor pengues,” tha Çipa.
Çipa vuri në dukje se mbledhja e pakët e njerëzve në Tiranë (dhe vështirësia për të mbledhur në qytetet e tjera) reflekton këtë mosbesim. Sipas tij, opozita po shkon nga përpjekja për rritje besimi, në përfundimin e mosbesimit.
“Cilat fjalimet të mbeten sonte në mëndje nga ‘Foltorja’? Konstatimet? Nuk mjafton kaq sepse nuk ka besim… Laboratori i opozitës, sa i përket aspektit elektoral, duhet të ndryshojnë. Kjo është një qasje që opozita nuk e ka të mundur tani për tani,” përfundoi Çipa.
/rtsh.al/