“3D” – Buxheti 2026, Kalemaj: Kemi handikap me pagën minimale si asnjë vend në botë. Rritja e saj shton kostot për biznesin

Analisti Ilir Kalemaj ka ngritur shqetësimin se Shqipëria ndodhet në një situatë të pazakontë ekonomike, ku pagat në sektorin publik janë dukshëm më të larta se ato në sektorin privat, një fenomen që, sipas tij, nuk gjendet në asnjë vend të zhvilluar.
Në emisionin “3D” nga Alban Dudushi në RTSH, Kalemaj tha se paga mesatare në administratën publike është rreth 20 mijë lekë më e lartë se në sektorin privat, duke e cilësuar këtë një anomali.
“Ne kemi një handikap që nuk e ka asnjë vend i zhvilluar. Ne kemi pagën mesatare në sektorin publik 20 mijë lekë të reja më të lartë se në sektorin privat, të paktën për pagat e deklaruara, pasi pastaj vjen edhe pjesa e ekonomisë informale, për të cilën sërish ka përgjegjësi qeveria. Dini ju ndonjë vend të botës ku paga e sektorit publik të kalojë pagën e sektorit privat? Shqipëria është i vetmi vend anormal ku sektori publik ka më të lartë pagën minimale se sektori privat, të paktën atë të deklaruar”, tha ai.
Sipas Kalemajt, rritja e pagës minimale është një “gabim absolut”, pasi kostoja bie tërësisht mbi bizneset, të cilat nuk marrin asnjë formë mbështetjeje nga qeveria. Ai paralajmëroi se këto kosto shtesë do të përkthehen në rritje të inflacionit dhe çmimeve bazë, ndërsa një pjesë e punonjësve rrezikojnë të humbasin vendin e punës.
“Paga minimale, një gabim absolut, është e gjitha kosto që bie mbi biznesin, i cili do ta përkthejë këtë në rritje të drejtpërdrejtë të inflacionit, që do ta ndjejnë të gjithë shqiptarët në çmimet e shportës, dhe do të ketë heqje nga puna. Ka rënë euro, kanë rënë të ardhurat, ka rënë fuqia eksportuese. Në momentin që rriten kostot pa u dhënë asnjë subvencion apo mekanizëm mbijetese, çfarë do të bëjë sipërmarrësi? Duhet të formalizohet ekonomia”, tha Kalemaj.
/rtsh.al/