Ditëlindja e 237-të e Amerikës, Basha uron Gray-n: Mirënjohje të përjetshme
Tiranë- Kreu i Bashkisë Tiranë, Lulzim Basha ka uruar me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, homologun e tij në Washington DC, Vincent Gray.
Qytetarët e Tiranës dhe mbarë kombi shqiptar u janë përjetë mirënjohës SHBA-së, për ndihmën dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që na kanë dhënë përgjatë gjithë historisë tonë, si kur diskutohej fati i ekzistencës tonë, ashtu edhe më pas, në instalimin e parimeve të lirisë dhe demokracisë që ju mbroni fort apo në procese të tjera të zhvillimit të vendit dhe integrimit në strukturat euro-atlantike. Shqiptarët me vendosmëri dhe me ndihmën tuaj janë orientuar drejt avancimit të vlerave të lirisë, të demokracisë dhe të zhvillimit, vlera që sot i ndajmë së bashku, si anëtarë të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe që në një të ardhme të afërt, do ti ndajmë dhe me Bashkimin Evropian,-thuhet në mesazhin e urimit të zotit Basha.
Basha e vijon më tej urimin e tij duke thënë: Ndaj, shton kryebashkiaku Basha, më lejoni që në këtë ditë të madhe për kombin tuaj, tju shpreh ju personalisht dhe qytetarëve të Washington DC, urimet më të mira dhe tju siguroj për vendosmërinë dhe angazhimin tim, për të konsoliduar edhe më tej bashkëpunimin mes dy kryeqyteteve, Tiranës dhe Washington DC.