4 plumba në sy të të miturit

30-vjeçari Ndue Pisha mbeti dje i vdekur në vend në qendër të qytetit të Shkodrës, teksa ndodhej në makinën personale me të birin. Ngjarja mendohet se ndodhi për shkak të hakmarrjes së një konflikti të disa viteve më parë
SHKODËR - Vritet për motive hakmarrjeje në mes të ditës në qendër të qytetit të Shkodrës Ndue Pisha, 30 vjeç. Vetëm pak minuta pas ngjarjes, forcat e policisë së Shkodrës arritën të vënë në pranga autorin e ngjarjes, 32-vjeçarin Pjetër Drezaj. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 12:00, pranë vendit të quajtur “Tetëkatëshi”, fare pranë bibliotekës së universitetit, në lagjen “Rus” të Shkodrës. Sipas të dhënave, Drezajt i është vrarë vite më parë në rrethana të paqarta një anëtar i familjes, autori i së cilës dyshohet të ishte 30-vjeçari Ndue Pisha, viktima e djeshme. Ngjarja Sipas informacioneve të marra nga dëshmitarë okularë, të pranishëm në momentin e krimit, si edhe nga burime policore, viktima Ndue Pisha ndodhej i ulur në një automjet tip fuoristradë “Land Rover” të bardhë, me tragë italiane. Së bashku me të ndodhej edhe i biri, ndërsa autori i krimit, i maskuar iu afrua viktimës, nxori pistoletën dhe shtiu katër herë me të mbi 30-vjeçarin Pisha. Pas këtij veprimi, vrasësi u largua i qetë nga vendngjarja, nëpërmjet një rruge dytësore, fare pranë vendit të krimit. Por në këtë moment, një patrullë policie që ndodhej me shërbim në këtë aks rrugor, me të dëgjuar krismat, u nis në tentativë të kapjes së autorit, pasi u njoftua për vrasjen e beftë. Një grup policësh rendën në drejtim të autorit, i cili u identifikua me shpejtësi, ndërsa pjesa tjetër e uniformave blu u kujdes për dërgimin e 30-vjeçarit me shpejtësi në spital, pasi ai ishte akoma i gjallë. Sipas policisë, pas 15 minutash përpjekje, u bë e mundur të vihej në pranga Pjetër Drezaj, autori i plumbave. Ai u kap në lagjen “Rus”, në rrugën që të shpie tek tregu i kësaj lagjeje. Ndërkohë, edhe pse Ndue Pisha u dërgua i gjallë në spitalin e qytetit, ai nuk mundi t’u shpëtojë plagëve të marra si pasojë e 4 plumbave të pistoletës. Sikurse bëjnë të ditur burime spitalore, tre nga plumbat e kishin goditur 30-vjeçarin në gjoks, ndërsa një plumb tjetër e kishte prekur atë në ballë. Blutë e Komisariatit të Shkodrës thanë se viktima, sikurse edhe autori i krimit, kanë lindur në zonën e Thethit, ndërsa që prej pak vitesh autori i ngjarjes është banues në Mamurras, ndërsa viktima jetonte në Grudë të Re të rrethit Shkodër.