E Diel, 1 Nëntor 2026

4 prill 2008 - Kryetarja Topalli pret senatorë italianë dhe profesorë të universitetit La Sapienza

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti një delegacion italian të përbërë nga përfaqësues të Dhomës së Deputetëve dhe profesorë të Universitetit La Sapienza në Romë, të cilët më 1-4 prill zhvilluan një seminar me temë Për modernizimin dhe demokratizimin e Parlamentit Shqiptar me  deputetë dhe ekspertë të administratës së Kuvendit të Shqipërisë.
Përfaqësuesit e delegacionit falënderuan Kryetaren Topalli për mikpritjen dhe mbështetjen e dhënë gjatë punimeve të seminarit, oratorë të të cilit ishin senatorë, profesorë të njohur të së drejtës kushtetuese, si dhe teknicienë të jetës parlamentare italiane.
Nga ana e saj, Kryetarja Topalli duke falënderuar profesorët dhe senatorët italianë për këtë program, shprehu të gjithë mbështetjen e saj për vazhdimin e këtij projekti, që, siç u shpreh ajo, forcon marrëdhëniet e bashkëpunimit mes parlamenteve.
Delegacioni italian shprehu urimet më të mira për marrjen nga Shqipëria të ftesës për anëtarësim në NATO.
Gjithashtu, Kryetares Topalli iu përcollën urimet më të mira të Presidentit të Dhomës së Deputetëve italianë, Fausto Bertinotti, si dhe ftesa për të vizituar Romën.
Biseda u përqendrua në projekte të ardhshme mes dy parlamenteve dhe Universtitetit
La Sapienza, i cili ka një komunitet të madh të studentëve shqiptarë.
Punimet e seminarit, që vendosi baza të forta për vazhdimin e bashkëpunimit konkret mes dy parlamenteve, u cilësuan si mjaft frytdhënëse, ndërkohë që delegacioni italian shprehu vlerësimin maksimal për vëmendjen e treguar nga deputetët, ekspertët e administratës së Kuvendit dhe studentët e pranishëm.
Seminari, që u organizua nga Dhoma e Deputetëve, Instituti Italian i  Marëdhënieve me vendet e Afrikës , Amerikës Latine dhe Lindjes së Mesme dhe Universiteti La Sapienza në Romë, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, kishte për qëllim shkëmbimin e përvojës dhe njohurive mbi procedurat e parlamenteve perëndimore në përgjithësi dhe, veçanërisht të Parlamentit italian, mbi legjislacionin e BE-së në tërësi, me synim forcimin e parlamentarizmit shqiptar dhe institucioneve që lidhen me këtë fushë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›