E Shtunë, 31 Tetor 2026

4 të plagosur në 2 aksidente në Lezhë

Lezhë Dy nga të lënduarit ndodhen në gjendje kritike për jetën

Dy aksidente, njëri në mëngjes dhe tjetri pasdite, kanë ndodhur në Rrethin e Lezhës. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Lezhës, aksidenti i parë ka ndodhur dje në orën 09:00 të mëngjesit, në aksin e superstradës Lezhë-Shkodër, në dalje të Lezhës. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se një automjet tip “Benz”, me targa LE5015A, është përplasur me një furgon pasagjerësh, po me targa të Lezhës. “Benz”-i po udhëtonte në drejtim të Lezhës, ndërsa furgoni lëvizte në drejtim të kundërt me të. Si pasojë e përplasjes janë plagosur drejtuesi i “Benz”-it, 65-vjeçari Gac Fani dhe Brunilda Nodi pasagjere në furgon, të cilët janë dërguar më pas në spitalin e Lezhës dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Pas aksidentit, Policia e Lezhës ka mbërritur në vendin e ngjarjes, duke kryer edhe ekspertizën, ku sipas saj, shkak i këtij aksidenti ka qenë veprimi i gabuar i drejtuesit të “Benz”-it, i cili ia ka prerë rrugën furgonit. Po dje pasdite, në Rrethin e Lezhës, rreth orës 16:20, në lagjen SMT, janë përplasur një makine tip “BMV” me targë TR8699G dhe një autoambulancë e spitalit të Lezhës. Sipas policisë, janë plagosur rëndë drejtuesi i automjetit, 21-vjeçari Fatjon Ndoji dhe pasagjeri Ermir Kola, 19 vjeç, të cilët udhëtonin me autoveturën tip “BMV” dhe ndodhen në gjendje kritike për jetën në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare, shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e madhe e mjetit ku udhëtonin dy të rinjtë, që kanë humbur drejtimin e mjetit, duke u përplasur me murin rrethues të një banese dhe më pas me autoambulancën e parkuar pranë saj.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›