E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i heroinës, policia merr në pyetje 6 të dyshuar

Fier Vijojnë hetimet për heroinën e sekuestruar një ditë më parë

Operacioni policor “Dalja”, që vuri në pranga dy transportuesit e drogës, do të ketë shumë shpejt një përfundim të suksesshëm me prangosjen e disa personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet trafiku droge. Burime konfidenciale të Policisë së Fierit thanë se për më shumë se 20 orë me radhë, grupi hetimor ka marrë në pyetje dy kushërinjtë nga Vlora, të cilët u kapën në flagrancë me 2 kg heroinë. Pas kësaj, janë pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen edhe gjashtë të dyshuar. Të pyeturit janë banorë të Fierit dhe njihen si persona me precedentë të mëparshëm penalë në fushën e trafikut të drogës. Nga të njëjtat burime mësohet se tashmë policia zotëron informacione të mjaftueshme falë edhe punës operative. Këto informacione mendohet se do t’i çojnë uniformat blu shumë shpejt në gjurmën e bashkëpunëtorëve të dy trafikantëve të arrestuar në kushtet e flagrancës. “Policia ka qenë shumë e rezervuar në lidhje me informacionet e saj për këtë operacion, duke ruajtur ecurinë e hetimeve dhe duke mos i cenuar ato me publikime të parakohshme”, - thanë burime zyrtare të Policisë së Fierit. Sipas tyre, nëse do të bëhen shoqërime apo prangosje të tjera, do të dilet me një deklaratë zyrtare. Ndërkohë burimet e besueshme të gazetës kanë deklaruar se janë hedhur dyshime se dy të prangosurit kanë qenë thjesht transportues, të cilëve u është servirur droga nga persona të tjerë për ta dorëzuar në Vlorë. Zotëruesit e lëndës narkotike janë ende të lirë, por policia i ka në gjurmim.

Droga mësohet të jetë marrë në territorin e Fierit dhe kishte si destinacion Vlorën e më pas dorëzimi i saj do të bëhej në vendmbërritje, Itali. Edhe pse deklarohet për shenja të mira bashkëpunimi mes dy të arrestuarve dhe grupit hetimor, ky i fundit do të verifikojë çdo informacion përpara se të hidhet në veprim.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›