Eshtrat, prokuroria ende pa dosje
Kur kanë kaluar rreth 45 ditë nga zbulimi i varrit masiv në periferi të Tiranës, prokuroria shqiptare ende nuk ka një dosje. Shumë familjarë janë interesuar pranë mjekësisë ligjore, por ende nuk është kryer identifikimi i eshtrave të gjetura, çka i ka vështirësuar së tepërmi hetimet, të cilat i janë deleguar policisë gjyqësore. Kjo e fundit po punon nga afër për këqyrjen e eshtrave, ndërsa mësohet nga burimet e prokurorisë se ende nuk ka përfunduar ekspertiza mjekoligjore, e cila do të mund të përcaktonte se në çfarë vit mund të jenë ekzekutuar viktimat dhe kujt i përkasin.
VerifikimiNga verifikimi paraprak i materialeve që ndodhen aktualisht në fashikullin hetimor, nuk ka rezultuar vepër penale, ndërsa është urdhëruar mjekësia ligjore që të verifikojë vitin e saktë që personat kanë ndërruar jetë. “Janë marrë në pyetje personat që i kanë gjetur eshtrat, si dhe kemi hapur një verifikim të plotë, duke urdhëruar mjekësinë ligjore të këqyrë kufomat. Megjithatë, dosja i është deleguar policisë për plotësime, dhe nëse mund të ketë vepër penale, atëherë duhet ta referojnë në prokurori. Në të kundërt, dosja do të pushohet”, thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës, duke saktësuar se dosja është ende në fazën e verifikimeve.
Sipas procedurave, një dosje penale verifikohet brenda harkut kohor të dy javëve dhe më pas vendoset nëse ka vepër penale. Megjithatë, fashikulli për eshtrat po mbahet hapur, në përpjekje për të ardhur edhe raporti përfundimtar i mjekësisë ligjore, i cili do të përcaktojë më së miri se kujt i përkasin këto eshtra të gjetura në periferi të Tiranës. Grupi hetimor deklaron se do të urdhërohet çdo procedurë ligjore që të kryhet, megjithatë vepra penale, nëse ekziston, është amnistuar ose parashkruar, çka do të thotë se roli i prokurorisë në këtë verifikim është dytësor.
AnalizatProkuroria mendon se eshtrat duhet të merren në dorëzim nga një institucion që mund të ngrihet për të gjetur vendvarrimet e të pushkatuarve gjatë komunizmit, i cili është ngritur nga qeveria dhe është quajtur “Task-Forca për gjetjen e vendvarrimeve të të ekzekutuarve gjatë regjimit komunist”. Sipas akuzës, identifikimi i plotë i eshtrave të gjetura do të dojë kohë dhe shpenzime të tepërta dhe për këtë arsye mendojnë se analizat e ADN-së duhet të realizohen me shpenzimet e vetë familjarëve të interesuar, ndërsa mund të rimbursohen edhe nga kjo njësi e ngritur me fondet e qeverisë.
Prokuroria ka urdhëruar ruajtjen e vendvarrimit masiv, të zbuluar nga gazeta “Shqip”, pasi për identifikimin e plotë të viktimave do të duhen edhe kampionë nga toka në të cilën janë gjendur. Ka dyshime se të tjerë të pushkatuar gjatë komunizmit janë varrosur në rrëzë të malit të Dajtit dhe prokuroria mendon se kërkimi në këtë zonë duhet të realizohet nga ekspertë të fushës dhe jo nga familjarë të të humburve, pasi do të dëmtonte procesin e identifikimit. Hetuesit që janë marrë këto ditë me të ashtuquajturin “varri masiv 313”, deklarojnë se disa nga eshtrat që kanë shkuar në mjekësinë ligjore kanë qenë të paplota dhe ato janë gjetur në varre të cekëta, të mbështjellë me qese të zeza. Sipas hetuesve, kërkimet me mjete të papërshtatshme kanë dëmtuar eshtrat dhe do të duhet një kohë e gjatë për identifikimin e tyre. Ndërkohë, prokuroria deklaron se do të kryejë çdo procedurë ligjore për çështjen në fjalë, pavarësisht se pushkatimi mund të ketë ndodhur para viteve ‘90.