Digjet një autobot i ngarkuar me naftë, shpëton nga vdekja drejtuesi i automjetit
Dje, rreth orës 09:40, si pasojë e humbjes së kontrollit të drejtimit, një autobot i ngarkuar plot e përplot me naftë është djegur në segmentin rrugor Tepelenë-Gjirokastër, në vendin e quajtur Subash. Fillimisht autoboti është rrëzuar mbi trupin e rrugës dhe fërkimi i pjesëve metalike me trupin e rrugës me sa duket është bërë shkak për shpërthimin e zjarrit në automjetin e ngarkuar me 6600 litra naftë. Njoftimi për policinë ka ardhur rreth orës 09:45, me një telefonatë në Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, e cila menjëherë ka lajmëruar repartin Zjarrfikës, ndërkohë që drejt vendit të ngjarjes, përveç zjarrfikësve, shkuan edhe forca të shumta të Policisë së Gjirokastrës. Automjeti autobot tip “Benz”, me traga TR6344H, me drejtues shtetasin Dritan Ahi, 37 vjeç nga Tirana, i një shoqërie të njohur karburantesh në Tiranë, është batuar dhe për pasojë ka marrë flakë. Drejtuesi i automjetit ka mundur të dalë nga mjeti pa pësuar dëmtime fizike, ndërsa autoboti është përfshirë i gjithi në flakë në mes të rrugës. Sipas drejtuesit të mjetit, Dritan Ahi, ai ishte nisur nga Tirana për në Sarandë dhe në këtë moment i është bllokuar sistemi i drejtimit. Në këtë situatë të vështirë drejtuesi ka braktisur mjetin, duke u hedhur nga dera e pasagjerit. Pas përplasjes, automjeti i firmës së njohur është përfshirë nga flakët dhe me gjithë ndërhyrjen e zjarrfikësve të Gjirokastrës dhe Tepelenës, është djegur plotësisht. Zjarri mund të ishte vendosur edhe më shpejt nën kontroll nëse zjarrfikësit do të ishin pajisur me mjete përkatëse, si bombola me shkumë kundra zjarrit, e cila përdoret veçanërisht në shuarjen e zjarreve në karburante. Zjarri në këtë rast është shuar vetëm me ujë. Forcat e policisë kanë marrë masa duke bllokuar trafikun dhe rrethuar zonën në një perimetër të konsiderueshëm, pasi automjeti kishte rrezik shpërthimi, por edhe flakët u shpërndanë në një sipërfaqe të madhe, pasi nafta u derdh nga autoboti. Dy automjete të repartit Zjarrfikës të Gjirokastrës, si dhe më vonë edhe një automjet zjarrfikës i Tepelenës, përreth 30 minuta kanë mundur t’i vënë flakët nën kontroll dhe ta shuajnë plotësisht, duke shmangur shpërthimin e automjetit. Rreth orës 10:40, lëvizja e automjeteve ka vijuar normalisht. Grupi hetimor në përfundim të veprimeve ka konstatuar se shkaku i batimit të mjetit dhe më pas përfshirja nga flakët ka qenë një defekt teknik në sistemin e drejtimit.
#