Korrenti hedh nga kati i tretë 40-vjeçarin
Një 40-vjeçar ka vdekur aksidentalisht ditën e djeshme, pasi ka rënë nga kati i tretë, teksa po kryente disa punime te halla e tij. Ngjarja ka ndodhur paradite në Paskuqan, kur Gëzim Hela kishte shkuar tek e afërmja e tij, për të kryer disa punime. Ai ka qenë në tarracën e katit të tretë të një vile private, duke kryer disa punime, kur ka rënë në kontakt me korrentin. Nga fuqia e shtyrjes, ai ka rënë nga tarraca përdhe, duke u plagosur rëndë. Menjëherë, të afërmit e kanë nisur për në qendrën spitalore “Nënë Tereza”. Për rreth dy orë ai është mbajtur nën kujdesin e mjekëve, por nuk ka mundur të mbijetojë. Pas dy orësh, ai ka ndërruar jetë, ndërkohë që në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e Komisariatit Nr.5, të cilët kanë zonën e ngjarjes nën juridiksion, që kanë kryer veprimet procedurale dhe materialet ia kanë kaluar prokurorisë. Kryefamiljari 40-vjeçar u është dorëzuar të afërmve të tij, të cilët sot i japin lamtumirën e fundit.
#