“4 vitet e ardhshme do të jenë vitet e gazifikimit të Shqipërisë”

Vizita në Azerbajxhan e Kryeministrit Sali Berisha
Kryeministri Berisha deklaroi dje në mbledhjen e grupit Kuvendor demokrat se objektivi kryesor i qeverisë shqiptare në 4 vitet e ardhshme, do të jetë gazifikimi. Berisha iu referua vizitës në Azerbajxhan, duke theksuar se në takimet e zhvilluara me autoritete azere, është rënë dakord që të dy vendet të zhvillojnë një partneritet të shkëlqyer dhe marrëdhënie të gjithanshme, në interesin më të mirë të Shqipërisë dhe Azerbajxhanit.
Sipas Berishës, kompania kryesore e naftës azere, ka shprehur interes për të ndihmuar Shqipërisë në masterplanin e gazifikimit.
“Unë i paraqita palës mikpritëse kërkesën time dhe të qeverisë shqiptare që Azerbajxhani të ndihmojë vendin tonë, kompania e tyre kryesore e naftës dhe gazit të ndihmojë vendin tonë për një masterplan për gazifikimin e Shqipërisë. Një nga objektivat, absolutisht më kryesor të katër viteve që vijnë, do të jetë gazifikimi i këtij vendi. Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që e ka zero sistemin e gazifikimit, që është privuar nga ky sistem themelor për një vend të zhvilluar, si kusht për një vend të zhvilluar, qoftë për ngrohjen, qoftë për gatim, apo për të gjitha nevojat. Gazifikimi i Shqipërisë është një kusht themelor i projektit tonë ‘Shqipëria - vend i zhvilluar në vitin 2017’. Unë mund t’ju them se kjo kërkesë gjeti mirëkuptim tek mikpritësit azerë, së pari, te Presidenti, Kryeministri dhe bashkëbiseduesit e tjerë. Shqipëria do të privatizojë Albpetrolin dhe qeveria ka bërë dhe po bën përpjekje që të zgjojë interesin maksimal të kompanive të mëdha të naftës e gazit. Në këtë kontekst, unë ftova kompaninë e vendit mikpritës SOCAR që të konsiderojë seriozisht pjesëmarrjen në tenderin që hapet për privatizimin e Albpetrolit, në interesin më të mirë të dy vendeve. Azerbajxhani është një vend plot ujëra dhe natyrisht ka një nga majat më të larta të Evropës, në Kaukaz. Unë ftova kompanitë azere të marrin pjesë në tenderët, në koncesionet për ndërtimin e veprave hidroenergjetike në Shqipëri, ftesë kjo që u mirëprit dhe u vlerësua nga kompanitë e mëdha të këtij vendi”, u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë bëri të ditur se autoritetet azere premtuan ndihmë për realizimin e projektit të gazsjellësit Trans Adriatik, i cili do të kalojë në Shqipëri. “Gjatë qëndrimit tim, një çështje shumë e rëndësishme diskutimi ishte edhe gazsjellësi TRANSADRIATIK. Këto muaj merret një vendim shumë I rëndësishëm, vendimi i shitjes së gazit të fushës Shah Deniz 2 në Evropë. Konkurrojnë disa projekte gazsjellësish, NABUCCO, etj, por konkurron edhe projekti TRANSADRIATIK, i cili kalon në territorin e Shqipërisë, me një investim prej mbi 1 miliardë dollarë, projekt në të cilin Shqipëria ka të gjitha kapacitetet për t’u bërë një epiqendër kryesore e shpërndarjes së tij në rajon. Natyrisht, në këtë fazë para vendimtare, gjithsecili bën avokatinë e interesave të veta dhe kjo është normale. Që të gjitha këto projekte synojnë të marrin gazin azer. Nuk mund të them se për cilin projekt do të vendoset, sepse kjo është çështje e vlerësimit të ofertave nga konsorciumi që eksploron Shah Deniz 2, Fusha gazit në Kaspikt, por mund të them se projekti i TRANSADRIATIK është absolutisht projekti më fizibël, më eficent, më i sigurt për t’u ndërtuar. Ky projekt është një konsorcium midis kompanisë kryesore energjetike të Zvicrës EGL, kompanisë kryesore të naftës e gazit të Norvegjisë STATOIL, kompanisë së dytë më të madhe gjermane EON dhe ka distancën më të shkurtër. Ky projekt është disa miliardë euro më pak i kushtueshëm dhe shumë më realist se projektet e tjera! Natyrisht, në takimet e mia unë bëra avokatinë e këtij gazsjellësi, por një avokati të ndershme, të bazuar në argumente dhe fakte të pakundërshtueshme”, tha më tej kryeministri.