E Diel, 1 Nëntor 2026

4 vitet në vijim, rritje të qëndrueshme ekonomike dhe zhvillim të biznesit

Deputeti i LSI, Dritan Prifti premton kthimin e ekonomisë nga konsumuese në prodhuese

TIRANË- I vendosur për të drejtuar ministrinë e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, deputeti i LSI-së, Dritan Prifti, shprehet se ka disa teza të ndryshme, nga ato të qeverisë Berisha të 4 viteve të shkuara. Priftit i mbetet qëndrimit kritik të deklaruar publikisht, se OSSH-ja u shit me një çmim të lirë, por duke folur tashmë në pozicionin e njeriut që pret të drejtojë ministrinë e Energjetikës, Dritan Prifti premton të rishikojë kontratën e shitjes, me synim përmirësimin por jo anulimin e saj. “Është e vërtetë që kam qenë kritik ndaj këtij privatizimi, pasi është shitur realisht lirë, por në kushtet e sotme kur unë të filloj punën do të rishikoj këtë kontratë në se ka vend për përmirësime dy palëshe. Në ditët e sotme, ne duhet t’i japim biznesit optimizëm dhe jo shembuj negativë, ndaj nuk mund të flasim për anulime kontrate”, u shpreh Prifti. Ndërsa për sistemin energjetik Prifti tha se qeveria ka dështuar me kontratat konçesionare. Sipas tij janë dhënë mbi 100 leje për ndërtimin e hidrocentraleve, por vetëm 2-3 prej tyre kanë nisur punën. “Unë do të monitoroj rreptësisht këto leje dhe do të vendos afate konkrete për fillimin e investimit të tyre”.  Pavarësisht se qeveria Berisha ka nisur të konkretizojë nismën ligjore për ndërtimin e një centrali bërthamorë në vend, kandidati për ministër e vlerëson këtë nismë, si të parakohshme. Sipas Priftit, centrali nuk është një zgjidhje afatshkurtër, ndaj nuk mund të jetë pjesë e prioriteteve tona. “Nuk jam kundër kësaj ideje”, - tha Prifti, “por realizimi i këtij projekti do të kërkojë minimalisht 10 vjet kohë”. Lidhur me debatin e ekspertëve të ekonomisë për prezencën e Fondit Monetarë Ndërkombëtar, Prifti u shpreh se këtij institucion i duhet ekonomisë shqiptare. Në një kohë që qeveria Berisha i ka thënë lamtumirë këtij institucioni, kandidati për ministër shprehet se: “FMN duhet për të certifikuar treguesit ekonomik, ndaj duhet të jetë partneri i qeverisë”.  Pas dekretimit nga presidenti, e votëbesimit në parlament, ditët e para të punës për ministrin e ri do të jenë konsultime të vazhdueshme me komunitetin e biznesit. Rritja ekonomike sipas tij nuk duhet mbështetur tek fondet e buxhetit të shtetit, por tek biznesi. “Projekti ynë i përbashkët me qeverinë Berisha është që të kthejmë ekonominë nga konsumuese në prodhuese. Kjo situatë do të realizohet vetëm duke e konsideruar partner sipërmarrjen private dhe duke i ofruar atyre lehtësirat e nevojshme”, përfundon Prifti.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›