Përfaqësimi në qeveri/Partia Republikane do respektojë vendimin e kryeministrit Berisha

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha pasi përmbylli marrëveshjen e bashkëqeverisjes me aleatin kryesor të katër viteve të ardhshme Ilir Meta, priti dje në selinë e kryeministrit kryetarin e republikaneve, Fatmir Mediu. Pas takimit kryetari i republikaneve tha se ai mund të jetë ministri i republikaneve në kabinetin e ri qeveritar. “Kemi diskutuar në parim këtë çështje, absolutisht çdo vendim është vendim i PR. Fatmir Mediu është vetëm kryetar i republikaneve, deputet i republikaneve, dhe nuk mendoj që ndonjë njeri vë në dyshim përfaqësimin politik të Fatmir Mediut. Ne diskutuam me kryeministrin për disa propozime konkrete, megjithatë do të mblidhet kryesia e PR që do të marr qëndrimin e saj në raport me propozimet e kryeministrit, kërkesat e PR dhe pastaj me vendimet e nevojshme që janë për përfaqësimin e të gjithë individëve”, deklaroi Fatmir Mediu, kryetar i PR-së.
Mediu tha se negociatat me kryeministrin Berisha do t’i diskutonte më parë me kryesinë e partisë dhe më pas do ti bënte ato publike.
Duke iu referuar deklaratës së kryeministrit Berisha se aleatet e tij do të përfshihen në qeverisje në mënyrë proporcionale me kontributin që kanë dhënë në fitoren e koalicionit e të djathtë, republikanët janë shprehur se përpos faktit se ato arritën të siguronin vetëm një mandat, fale votave që elektorati ka dhënë për llogari të kësaj partie ajo i ka dhënë kësaj mazhorance edhe katër deputet të tjerë.
Anila Skura