Shoqata Italo-Shqiptare “Agimi” në Vlorë, një dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve

Shoqata "Agimi Shqiptar", me qendër në Vlorë, është një nga organizatat e para të krijuara në vend, me një aktivitet të shumëfishtë. Në vitin 1992, u hodhën piketat e para të aktivitetit të saj, si dëshmi e marrëdhënieve vëllazërore mes Italisë dhe Shqipërisë dhe "Agimi Shqiptar", u konceptua si një shoqatë partnere e homologes së saj në vendin fqinj. Petraq Truja, presidenti i parë i kësaj shoqate, tregon se, ajo u krijua në vitin 1992. Ai kujton se propozimi për të krijuar shoqatën, në atë vit të largët, kur ende ndiheshin qartë gjurmët e sistemit të kaluar, u prit mjaft mirë në Vlorë. "E prita me gëzim dhe u takova me misionarët e shoqatës "Agimi", në Itali, me të cilët ndërtuam edhe strukturat. Shqipëria kishte mjaft nevoja emergjente në atë kohë, duke nisur nga ushqimet bazë, për të vazhduar me mungesën e infrastrukturës shkollore dhe probleme të tjera sociale",- sjell në kujtesë, Truja, pedagog në Universitetin "Ismail Qemali", të Vlorës. Në funksion të situatës së atëhershme dhe të objektivave të shoqatës, u orientua edhe aktiviteti i saj, duke filluar me ndihma humanitare në ushqime për popullsinë, për të vijuar më pas, gradualisht edhe me drejtime të tjera.
Nikollë Toma, President aktual, i shoqatës, "Agimi Shqiptar", doktor i shkencave historike, thotë se, veprimtaria e saj, është e fokusuar në tre drejtime bazë: ndihmat humanitare, ndaj Shqipërisë, shkëmbimet kulturore dhe dialogu intereligjioz. Për secilën prej tyre, ka aktivitete konkrete të cilat janë shoqëruar me impakte konkrete në fushat respektive. Ndihma humanitare është reflektuar në dhurimin e ushqimeve për familjet e varfëra dhe më pas në ndihma për shkollat, kopshtet e çerdhet, si dhe ndërtimin e ujësjellësave, si ai i fshatit Vajzë në rrethin e Vlorës.
Fillimisht aktiviteti u përqëndrua në rrethet e Vlorës, Sarandës, Delvinës, Gjirokastrës, Korçës, Librazhdit dhe më pas u zhvendos edhe në veri të vendit, si në Mirditë, Kurbin, Shkodër, apo në Durrës. Shoqata "Agimi Shqiptar", është e strukturuar në 22 degë, të shpërndara në të gjithë vendin. E veçanta e saj është se, të gjitha ato janë binjakëzuar me degë partnere në qytete të ndryshme të Italisë. Ky është edhe parimi i funksionimit të shoqatës, duke siguruar mundësi financimi nga Italia, në funksion të përmbushjes së objektivave. Petraq Truja tregon se përmes aktivitetit të saj, u binjakëzuan mjaft njësi të qeverisjes vendore, apo shkolla etj, me institucione homologe në Itali si binjakëzimi i Ndërmarrjes Elektrike të Vlorës, me atë të Bolzanos, në veri të shtetit fqinj, prej ku u ofrua asistencë e konsiderueshme teknike dhe materiale, që fuqizoi bazën e saj, për të përballuar nevojat e momentit dhe ato të perspektivës. Edhe ne Qarkun e Korçes eshte dhene ndihma e duhur ne krizen energjetike ne vitin 1999, me transformatore ne Maliq, Erseke, Pogradec etj. "Kemi dërguar me dhjetra grupe folklorike në qytete të ndryshme të Italisë, apo grupe të nxënësve të shkollave 8 vjeçare, për shkëmbim përvojash në Bolonja. Po ashtu kemi dërguar për të njëjtin qëllim edhe grupe mjekësh e infermierësh në spitalet e Leçes e të Barit", tregon presidenti i shoqatës, dr.Nikollë Toma. Ai shton se, pjesë e këtij aspekti të veprimtarisë së kësaj shoqate, kanë qenë promovimi i librave të ndryshëm në një auditor të gjerë, duke sjellë si shembuj ato të autorëve Amik Kasaruho, apo Don Xhuzepe Kolavero, president i shoqatës "Agimi Italian". Për drejtuesin e shoqatës, bashkëjetesa ndërfetare, veçanërisht në Shqipëri, është një ndër ato drejtime, ku, është përqëndruar vëmendja qysh në fillim. Në këtë kontekst, sipas, Tomës, dialogu intereligjioz, zë një vend të rëndësishëm në veprimtarinë shumëdimensionale të shoqatës "Agimi Shqiptar" e konkretizuar me një sërë aktivitetesh të rëndësishme e të shpërndara në një gjeografi të gjerë. Mes tyre ai veçon simpoziumin për fenë, të zhvilluar në vitin 2004, në Mirditë, në një mjedis tërësisht katolik, ku ishin të pranishëm përfaqësuesit më të lartë të komuniteteve fetare në vendin tonë, katolik, mysliman dhe ortodoks. Çdo vit, organizohen shkëmbime përvojash mes "Agimit Shqiptar" dhe atij italian, në funksion të ndërtimit të aktiviteteve të përbashkëta dhe respektive.
Projektet aktuale
Shoqata "Agimi Shqiptar", ka në proces zbatimi një numër projektesh. Njeri prej tyre, i emërtuar "Ilir", është fokusuar në çeljen e dy shkollave për të verbërit në qytetet e Vlorës dhe të Librazhdit. "Në këto dy shkolla, ne investojmë çdo vit një fond prej 25 mijë eurosh", thotë Presidenti dr.Nikollë Toma. Ai tregon se, veç kësaj, po punohet për çeljen e një shkolle për të verbërit edhe në qytetin e Durrës, e cila pritet të konkretizohet shumë shpejt. Gjatë këtij viti, pritet të bëhet edhe riorgaizimi i shoqatës, ku do të përcaktohen edhe drejtime të tjera të punës.
Qendra e Shoqatës "Agimi", një problem i pazgjidhur prej vitesh
Në vitin 1996, në qytetin e Vlorës u ndërtua një godinë tre katëshe, e financuar nga partnerët italianë, ku do të përqëndroheshin aktivitetet humanitare të shoqatës, që do të shërbente edhe si rezidencë e saj. Projekti, mjaft modern për kohën, kishte si arkitekt një specialist italian. Godina u përfundua dhe u vu në funksion. Mjekë italianë në specialitete të ndryshme, bënin vizita dhe konsulta falas, ndërkohë që, në mjediset e saj, funksiononte edhe një bibliotekë e pasur. "Ky objekt, ishte ndër të parët që u grabit dhe u dëmtua në pranverën e vitit 1997", tregon Petraq Truja. Më pas, mjediset e saj u zaptuan nga disa familje, të cilat vazhdojnë t’i mbajnë ato në kundërshtim të plotë me ligjin. Prej vitit 1998, kam kërkuar lirimin e godinës dhe kthimin e saj shoqatës, por megjithë këmbënguljen asgjë nuk u bë",- thotë Truja, duke ju referuar të shkuarës më shumë se 10 vjeçare. Ndërkohë, Presidenti aktual i shoqatës, thotë se, përpjekjet kanë vazhduar dhe janë marrë kontakte me të gjitha nivelet e pushtetit vendor dhe policinë, Gjithsesi edhe sot, godina 3 katëshe me një arkitekturë tipike italiane, e "fshehur" në një mjedis jo shumë larg bulevardi Vlorë-Skelë, mes pallatesh shumëkatëshe në ndërtim, vazhdon të mbahet peng nga disa familje. "Na janë dhënë nga donatorët 25 mijë euro për financimin e një projekti për rikonstruksionin e kësaj qendre, por në kushtet që ajo mbahet peng nga zaptuesit, nuk mund të bëjmë asgjë",- thotë Toma. Ai shprehet se, do të vazhdojë të këmbëngulë pranë autoriteteve vendore dhe qëndrore në Tiranë,e kërkon mbështetjen e tyre për lirimin e godinës, për ta shndërruar atë në një mjedis funksional në shërbim të komunitetit.
...