E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shiu rëndon situatën në zonën e tërmetit

Reshjet e shiut që kanë nisur të bien që nga mbrëmja e së shtunës, e kanë përkeqësuar akoma më tepër situatën për qindra familje të prekura nga tërmeti i së dielës së kaluar, në komunat, Gjoricë (epiqendër e këtij tërmeti), Shupenzë, Zerqan dhe Ostren në rrethin e Bulqizës.

Ndërkohë që kampingjet e ngritura për strehimin e banorëve të komunave Gjoricë dhe Shupenzë kanë mbetur të braktisura, pasi banorët kundërshtuan strehimin në ta me pretekstin se janë larg banesave dhe bagëtive, janë shtuar kërkesat e tyre për furnizimin me çadra familjare, ku të mund të fusin kokën.

Autoritetet lokale të këtyre komunave thonë për "Shqip", se ende kërkesat për çadra vijojnë të jenë në rritje për plotësimin e nevojave të familjeve të prekura. Kështu, kryetari i Komunës Gjoricë, Xhelal Mera, thotë se ka kërkuar nga emergjencat civile edhe 100 copë çadra të tjera për plotësimin e nevojave të

banorëve.

Me nisjen e reshjeve të shiut dhe uljen e ndjeshme të temperaturave, kërkesat për çadra kanë ardhur në rritje, pasi banorët nuk mund të flenë jashtë, në oborret e shtëpive të mbuluar me plastmasë. Edhe pse ankohen për mungesë të kushteve më elementare në çadra, si mungesa e dritave, ujit, banjave etj., kërkesat për çadra vijojnë të jenë prezente, pasi banorët thonë mjafton të kemi një vend ku mund të fusim kokën.

Aktualisht, numri i banorëve që janë rikthyer në banesat e tyre, pas rënies së tërmetit mbetet fare i vogël. Në mosrikthimin e banorëve në banesa ka ndikuar edhe vazhdimi i lëkundjeve sizmike të tokës edhe pse me intensitet më të ulët. Kështu, të shtunën në mbrëmje, bashkë me nisjen e shiut, kanë ardhur edhe dy lëkundje toke të njëpasnjëshme, njëra aty rreth orës 20:05 minuta dhe tjetra në orën 20:30 minuta akoma më e fortë se e para, gjë që ka shtuar panikun te banorët duke shtuar vendosmërinë e tyre për të mos u kthyer në banesa.

Edhe gjatë ditës së djeshme, aty rreth orës 16:00 ka pasur përsëri lëkundje të lehta të tokës. Ndaj edhe ata pak banorë më të "guximshëm" që tentuan të rikthehen brenda banesave të dëmtuara pjesërisht nga tërmeti, kanë dalë përsëri jashtë tyre, duke kërkuar pranë pushtetit lokal që t‘i pajisë me çadra.

Një tjetër merak që ka mbërthyer banorët është edhe nisja e shkollës për fëmijët e tyre, pasi ata thonë se nuk kanë mundësi t‘u sigurojmë fëmijëve kushte normale për nisjen e vitit të ri shkollor sot, kur të gjithë fëmijët e Shqipërisë do të ulen nëpër banka.

Nga ana tjetër, banorët e zonave të prekura nga tërmeti janë të shqetësuar për zvarritjen e procesit të vlerësimit të dëmeve, çka do të thotë edhe vonesë në dhënien e ndihmës së premtuar nga qeveria për rindërtimin apo riparimin e shtëpive.

Në zonë janë duke vepruar dy grupe vlerësimi, të përbëra nga përfaqësues të pushtetit vendor dhe ekspertë të caktuar nga Ministria e Brendshme. Kryetari i Komunës Gjoricë, ku ishte epiqendra e tërmetit të 6 shtatorit, thotë se deri tani janë bërë verifikimet në 173 shtëpi, por përllogaritja e dëmit do të kërkojë akoma kohë. Puna për vlerësimin e dëmeve ka nisur edhe në Komunën Shupenzë, ku gjithashtu nuk ka ende ndonjë konkluzion.

Drejtori i Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, Alfred Olli, tha se do të duheshin dhjetë ditë për të bërë vlerësimin përfundimtar të dëmeve. Puna për këtë vlerësim ka nisur përpara tri ditësh dhe do të duhet të paktën edhe një javë përpara se qeverisë t‘i kërkohet një fond për rindërtimin apo riparimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti. Ndërkohë, dimri është duke u afruar me shpejtësi dhe në fshatrat e Bulqizës kjo stinë është gjithmonë e ashpër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›