E Diel, 1 Nëntor 2026

Plumb pas shpine njeriut me vesh të prerë

60-vjeçari, ende i paidentifikuar, që u gjet në grahmat e fundit të jetës mbi shinat e trenit, dyshohet se është një endacak, i cili mund të jetë vrarë nga një person ende i paidentifikuar në kushtet e vetëmbrojtjes

PEQIN - Një person rreth 60 vjeç, ende i paidentifikuar nga policia, u ekzekutua pas shpine gjatë mbrëmjes së të dielës në qytetin e Peqinit, ndërsa luhej ndeshja finale e kampionatit evropian Gjermani-Spanjë. Ngjarja ndodhi mbi shinat e trenit, në afërsi të stacionit hekurudhor, ndërsa policia mendon se viktima është një endacak, që mesa duket ka cenuar dikë, i cili duket nuk ka hezituar ta vrasë në kushtet e vetëmbrojtjes. Vrasësi e ka qëlluar viktimën 60-vjeçar me armë pas shpine dhe më pas është larguar në errësirë. Policia që mbërriti në vendngjarje rreth orës 23:30 dhe gjeti të gjakosur mbi hekurudhë 60-vjeçarin, tha se në ato momente ai ishte ende i gjallë. Ai është nisur me shpejtësi për në spitalin kirurgjik të Elbasanit, por edhe pse ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ka ndërruar jetë rreth orës 02:45. Gjatë kësaj kohe, as oficerët e Policisë Gjyqësore dhe as hetuesit nuk kanë mundur të shkëpusin asgjë nga goja e viktimës. Në vendngjarje kanë shkuar ekspertët dhe një grup hetimor, të cilët kanë administruar provat e gjetura në vendngjarje. Sipas përshkrimit të tyre, viktima e seksit mashkull ka si shenjë dalluese një prerje në veshin e majtë. Mbante veshur një palë pantallona me ngjyrë të zezë, një këmishë me kuadrate dhe sandale me ngjyrë kafe. Ekspertët saktësuan se nga këqyrja e kufomës, rezulton se ky person është qëlluar nga prapa me armë zjarri. Gjithçka mësohet të ketë ndodhur gjatë transmetimit të ndeshjes finale të Kampionatit Evropian të Futbollit Gjermani-Spanjë. Sipas policisë, autorët kanë shfrytëzuar këtë orar për të ekzekutuar njeriun me vesh të prerë. Më pas ata janë zhdukur në errësirën e natës, duke zhytur ngjarjen në mister. Megjithatë, Prokuroria e Elbasanit ka ngritur disa pista hetimi. Prioritet për momentin mbetet identifikimi i viktimës.

Policia: Endacaku është vrarë për vetëmbrojtje

Shefi i Komisariatit të Peqinit, Ahmet Bala, u shpreh se policia lokale ka organizuar punën për identifikimin e viktimës dhe të vrasësve të tij. Sipas Balës, në këtë zonë nuk figuron një njeri me të dhëna të tilla. Edhe komuniteti i zonës nuk ka treguar interes për viktimën. Drejtori i Policisë së Qarkut Elbasan, Arben Hyseni, u shpreh se “vrasja ka ndodhur nga dikush që është sulmuar për t’u grabitur nga viktima. Sipas të dhënave që kemi, rezulton se ky person është endacak dhe mund të ketë sulmuar persona të caktuar, të cilët nga frika e kanë ekzekutuar”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›