E Diel, 1 Nëntor 2026

Ujë ka, por nuk vjen në çezma

Edhe pse impianti i Bovillës mjafton për të bërë furnizimin e rregullt me ujë për 1. 3 milionë banorë, uji mbetet ende një problem për kryeqytetasit. Një person ka në dispozicion plot 200 litra ujë në ditë

TIRANË - Problemet e ujit, mesa duket, nuk kanë të sosur për qytetarët e Tiranës as në këto ditë të nxehta vere. Tamam si beduinët në mes të shkretëtirës, banorët kryeqytetas detyrohen shpeshherë të marrin kova dhe bidonë, për të kërkuar gjetkë pak ujë “të bekuar”. Dhe kjo ndodh në mënyrën më paradoksale, për arsye se, sipas specialistëve, ujësjellësi i Bovillës ka ujë me bollëk, aq sa për t’u dendur një Tiranë e tërë. Gjithsesi, përpos deklaratës së tyre, mungesa e ujit është evidente për kryeqytetasit. Ky problem në qytetin e Tiranës përkon edhe me rritjen e temperaturave, kohë në të cilën uji është më i domosdoshëm se kurrë. Sipas specialistëve, sasia e ujit që prodhon impianti i Bovillës dhe i Selitës mjafton për të furnizuar rregullisht 1 milion e 300 mijë banorë. Sasi e mjaftueshme, kjo për të mos e konsideruar ujin si problem. Duke u bazuar në të dhënat e specialistëve, impianti i Bovillës furnizon me ujë 70 për qind të kryeqytetit. Pra, sasia e ujit që merr Tirana, e përkthyer në litra, është 1700 litra për çdo sekondë. Po të bëjmë një llogaritje matematike të thjeshtë, duke përllogaritur shifrat e lartpërmendura, një kryeqytetas ka mundësi të shpenzojë 200 litra ujë në ditë. Megjithatë, kjo mbetet vetëm në shifra, pasi banorët e Tiranës detyrohen sërish të ngarkojnë ç’të mundin dhe të mësyjnë drejt Linzës për të mbushur ujë nga burimi. Dhe atëherë me të drejtë lind pyetja: çfarë ndodh me ujin pasi del nga Bovilla dhe cili është shkaktari i kësaj mungese, kur uji qenka me kaq bollëk?! Përgjigjja e kësaj pyetjeje janë dhjetëra lidhje të paligjshme, nga ku banorët e kësaj zone informale vjedhin ujin për të vaditur të mbjellat, duke shkaktuar etjen e banorëve të Tiranës. Edhe vetë specialistët që punojnë në impiantin e Bovillës nuk të japin siguri për furnizimin me ujë. E vetmja gjë që të sigurojnë në impiant është pastërtia e ujit, pra zyrtarisht është e garantuar vetëm pastërtia, por jo vetë uji.       

Cilësia e ujit, synim i qeverisë

Në këtë stinë të nxehtë, objektivat kryesore të programit të qeverisë janë mbrojtja dhe përmirësimi i cilësisë së ujërave. Për këtë qëllim janë caktuar zonat e mbrojtjes sanitare rrotull burimit sipërfaqësor ose nëntokësor, të cilët shërbejnë për furnizimin me ujë të pijshëm të popullsisë urbane dhe rurale. Ndërkohë, Strategjia Sektoriale dhe Strategjia Kombëtare e Mjedisit kanë parashikuar veprime për menaxhimin më të mirë të burimeve ekzistuese, si dhe zgjerim të rrjetit të ujësjellësve, duke përfshirë edhe shtimin e rrjeteve të reja të furnizimit. Kjo bëhet për arsye që të sigurohet furnizim me ujë të pijshëm, të bollshëm dhe të sigurt për shëndetin e njerëzve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›