Kosova prioritet

Që sot Franca merr presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, pas kalimit të stafetës nga Sllovenia. Natyrisht që sfida e saj kryesore do të jetë ratifikimi i marrëveshjes për reformat në BE, pas refuzimit të irlandezëve në referendum. Përsëritja e referendumit do të jetë e mundur në pranverë të vitit të ardhshëm. Nga ana tjetër, që të gjithë shtetet kanë nevojë për Marrëveshjen e Lisbonës, e cila do të duhej të hynte në fuqi më 1 janar. Por, ndërkohë, një nga prioritetet kryesore të kësaj presidence, ashtu siç ndodhi edhe me Slloveninë, do të jetë politika e BE-së kundrejt Ballkanit, e veçanërisht shtetit më të ri të rajonit, Kosovës, i cili ende pret misionin e bllokut EULEX. Rëndësia e Kosovës në axhendën franceze u bë e qartë që një ditë më parë, kur Franca, Çekia dhe Suedia deklaruan se blloku do t’i kushtojë një rëndësi të veçantë Kosovës. “Deri në fund të vitit 2009, Bashkimi Evropian do të avancojë perspektivën evropiane për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në programin e përbashkët të Francës, Çekisë dhe Suedisë, vende këto që do të kryesojnë presidencën e radhës së BE-së deri në fund të vitit të ardhshëm. Në programin e tyre theksohet fakti, se Kosova do të jetë prioritet i axhendës së këtyre shteteve, pasi shtetit të ri do t’i kushtohet një kujdes i veçantë përmes misionit civil të BE-së, që pritet të zbarkojë së shpejti atje. Në dokument gjithashtu thuhet, se Bashkimi Evropian edhe më tutje do të kenë rol udhëheqës në forcimin e stabilitetit në të gjithë rajonin. Sipas agjencisë serbe të lajmeve B92, Franca do t’i kushtojë vëmendje të veçantë edhe Serbisë, në përpjekjet e saj drejt anëtarësimit në BE. Gjatë një interviste të dhënë dje për radion B92, ambasadori francez në Beograd, Zhan Fransua Terral, tha se Franca do të vazhdojë përpjekjet evropiane që Serbia të arrijë statusin e vendit kandidat, por se një gjë e tillë kërkon shumë përpjekje nga Beogradi. Ndërsa për sa i përket Kosovës, ai u shpreh se tashmë çështja e statusit të saj është zgjidhur, por kanë mbetur ende probleme konkrete, të cilat duhen zgjidhur në mënyrë paqësore, gjë që do të favorizonte shumë edhe pozicionin e Serbisë.