E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buka, tregtarët vjedhin në peshë

Vjedhjet më të larta në peshë nga furrat e bukës, pikat e karburantit dhe tregjet e fruta-perimeve Drejtoresha e Metrologjisë, Pazaj, pohon se 160 furra në vend shesin bukë nën peshë, kurse në tregje përdoren gramarë jashtë përdorimit

Konsumatorët shqiptarë blejnë ende shërbime nga mjete matëse të paverifikuara ligjërisht. Kundravajtësit kryesorë janë furrat e bukës, pikat e karburantit dhe tregjet e fruta-perimeve. Në këtë rast, zgjidhja e vetme që rekomandohet për konsumatorët është që të mos blejnë produkte nga subjektet, të cilët përdorin mjet matës pa pullën e Drejtorisë së Metrologjisë dhe Kalibrimit, çka tregon gjurmët e inspektorëve (pulla është në formën rrethore dhe në mes ka shenjën DPM dhe muajin e verifikimit). Drejtoresha e Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë dhe Kalibrimit, Myrvete Pazaj, në një intervistë për gazetën “Korrieri” shpjegon se numri më i madh i abuzimeve me peshën është konstatuar tek shitësit e bukës dhe pikat e karburantit. Për sa u përket tregjeve ushqimore, Pazaj thotë se ende punohet me dinamometër, peshore kjo që është e ndaluar të përdoret. Duke u ndalur në shitjen e bukës nën peshë, kreu i Drejtorisë së Metrologjisë tha se deri tani, në të gjithë vendin janë konstatuar 160 furra buke, ku numri më i madh i tyre është në Tiranë. Po ashtu, nga shitësit e bukës ende mungon reklamimi i peshës dhe i çmimeve përkrah këtij produkti, proces ky i përcaktuar në ligj. Po ashtu, shitja e bukës nuk përfshihet në produktet e parapaketuara, çka do të thotë që të ketë një etiketë të miratuar nga Ministria e Bujqësisë dhe të ketë një përmbajtje. “Në vend për shitjen e bukës nuk ka një standard që të thuhet se ajo prodhohet vetëm 1 kg ose 800 gramë. Përveçse kësaj, standardi nuk është një normë e detyrueshme, por vullnetare, që adoptohet nga vetë njësitë. Në këtë mënyrë, ne u kemi kërkuar subjekteve se sa është sasia e bukës që ai prodhon dhe pranë kësaj sasie të ketë vendosur edhe çmimin, që klientët të dinë që pranë kësaj sasie është ky çmim. Nga kontrollet që kemi ushtruar, ka rezultuar që në mjaft pika të shitjes së bukës të mos reklamohen pesha dhe çmimet, dhe buka të shitet nën peshë. Nisur nga kjo situatë, ne kemi vendosur gjoba në rastet e shkeljes së tyre, që variojnë nga 30 mijë lekë - 1.5 milionë lekë dhe kjo në varësi të biznesit. Në të gjithë vendin janë gjobitur 160 subjekte të shitjes së bukës, ku numri më i madh është në Tiranë”, tha Pazaj, duke shtuar se kjo situatë është evidente edhe tek zonat turistike. Ndërkaq, kreu i Metrologjisë ngre problemin që, në shumicën e rasteve, edhe pse vendoset gjoba për shkeljet, ato nuk mblidhen nga pushteti vendor. Përveç këtij sektori, abuzime janë konstatuar edhe në shitjen e karburanteve. “Kemi karburante të cilët janë gjobitur nga tri herë rresht. Një rast tipik është në Tiranë, në të cilin nuk po vepron as Krimi i Organizuar, pasi karburanti shet pa verifikuar distributorët dhe nuk pranon inspektorët e Drejtorisë së Metrologjisë”, tha Pazaj.

Tregjet me gramarë nën peshë

Në tregjet e mallrave ushqimore dhe fruta-perimeve përdoren ende mjete matëse të cilët nuk lejohen. Sipas drejtoreshës së Metrologjisë, në këto tregje ende ekzistojnë peshoret me dinamometër, të cilat nuk lejohet të përdoren. Përveç kësaj, në tregje përdoren gramarë jashtë përdorimit. “Dinamometrat janë të detyrueshëm të hiqen nga përdorimi. Ndërkohë, përveç peshores, nga ana jonë verifikohen edhe gramarët (gurët e peshës), për të cilët janë hasur raste ku ka pasur gurë nën peshë, të punuar apo që duhet të dalin jashtë përdorimit. Pra, të gjithë këta gramarë janë sofistikuar në mënyrë të tillë për të kryer vjedhje, ku tipike janë tek shitësit e palicencuar. Raste tipike me këto lloj abuzimi janë konstatuar edhe tek shitësit e rrugëve nacionale apo rurale, ku nuk ka peshore të verifikuar”, pohon Pazaj. 

Taksimetri, pushteti vendor të sjellë tarifat

Si të gjithë mjetet matëse, edhe taksimetri do të kontrollet nga Drejtoria e Metrologjisë. Verifikimi do të konsistojë nëse tarifat që janë përfshirë në taksimetër përputhen me rrugën që ai përshkruan. Por edhe pse kjo është procesi i fundit, pasi në fillim do të kryhet vendosja e taksimetrit, Pazaj thekson se nga pushteti vendor ende nuk janë përcaktuar tarifat. Deri tani, sipas saj, janë miratuar tarifat vetëm nga këshilli bashkiak i qytetit të Vlorës, por ende nuk është paraqitur asnjë subjekt, në mënyrë që të kryhet verifikimi. “Pushtetet vendore me shpejtësi duhet të përcaktojnë tarifat e taksimetrit dhe të bëhen prezentë tek Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë dhe tek shoqëritë që janë licencuar për tregtimin dhe mirëmbajtjen e taksimetrave. Por para fillimit të këtij procesi, pushteti vendor duhet të përcaktojë tarifat, ndërsa nga ana tjetër drejtoritë rajonale të kontrollit të automjeteve nuk duhet të kolaudojnë atë pa mjetin matës”, shpjegon Pazaj. 

Gjurmët e reja të inspektorëve

Tashmë është miratuar një ligj i ri për metrologjinë dhe në zbatim të tij do të dalin urdhëresa të Ministrisë së Ekonomisë, në mënyrë që ligji të bëhet plotësisht i përputhshëm me atë evropian. Në bazë të këtyre udhëzimeve do të ketë edhe shkallëzim të mëtejshëm të mjeteve matëse. Në qoftë se sot vendoset një pullë që thotë se kjo lejohet të përdoret dhe për të tjerat që duhet të hiqen nga tregu, tashmë është parashikuar vendosja e elementeve të tjerë të sigurisë për konsumatorin. Pazaj thotë se do të ketë pulla të paheqshme, që do të tregojnë se ky mjet matës nuk duhet të përdoret dhe do të ketë një kryq, ose elemente të tjerë që shprehin se mjeti matës është në riparim dhe nuk përdoret, ose është lejuar për përdorim pas riparimit. Pra, për çdo rast verifikimi do të lihet gjurmë e dukshme dhe e lexueshme në të gjitha fazat e verifikimit. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›