E Shtunë, 31 Tetor 2026

400 pallate në Tiranë drejt hipotekimit

Problemi i mbartur nga mandati i kaluar i Bashkisë së Tiranës, duket se po merr zgjidhje, ashtu sikurse kishte premtuar kreu aktual i Bashkisë, Lulzim Basha.

Për këtë arsye, midis tij dhe dy ministrave të kabinetit qeveritar, përkatësisht ministri i Transporteve, Sokol Olldashi dhe ai i Drejtësisë, Eduard Halimi, është nënshkruar një marrëveshje. Kryebashkiaku e vlerësoi si mjaft të rëndësishme këtë marrëveshje, çka sipas tij do t’i japë zgjidhje problemit të hipotekimit të banesave. 

Memorandumi është një instrument ligjor që do të shërbejë për pajisjen me certifikatën e pronësisë të mijëra qytetarëve në Tiranë që jetojnë në banesa ende të pahipotekuara. Ndërkohë, memorandumi i nënshkruar sot është një dokument ligjor që garanton bashkëpunimin me pushtetin qendror, pika tjetër e rëndësishme e procesit të pajisjes me hipoteka.

“Kështu i jepet fund deprivimit të padrejtë nga titulli i pronësisë atyre mijëra familjeve që paguan apartamentet në mirëbesim se ato një ditë do hipotekoheshin dhe do të regjistroheshin si pasuri e tyre. Pas kësaj, 700 milionë euro si shumë kolaterali e këtyre apartamenteve të pahipotekuara, nesër ato do jenë pasuri e qytetarëve por një kolateral i fuqishëm në bankat e Tiranës dhe garanci për rritje ekonomike dhe punësim”, tha Basha.

Sipas Bashës, bashkia do ketë bashkëpunim me institucionet e tjera që janë aksionare në forma, mënyra dhe momente të ndryshme, si këto dy ministri.

“ Ka qenë një proces që mund të ishte bërë shumë më herët, por për shkak të dallimeve konceptuale që ka pasur Bashkia e atëhershme me Bashkinë e sotme, nuk ka qenë e mundur. Nuk ka qenë e mundur sepse në asnjë çast nuk ka pasur gatishmëri bashkëpunimi , jo thjesht për arsye politike, por sepse besoj se koncepti  i Bashkisë së atëhershme ka qenë krejt i ndryshëm nga sot. Bashkia e djeshme kishte në qendër të administrimit vetëm pallatet, bashkia e sotme ka në qendër, vetë qytetarët”, tha Olldashi.

/S.Ll/Start/

                                                                                             2011-09-22 10:07
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›