452 kontrolle dopingu, botërori është i pastër
Pavarësisht polemikave për topin, vuvuzelat apo golat e paakorduar, Botërori 2010 ka regjistruar një të dhënë mjaft pozitive: asnjë prej lojtarëve të testuar për substanca të ndaluara nuk ka rezultuar pozitiv. FIFA ka bërë të ditur se në Afrikën e Jugut, deri më tani janë zhvilluar 452 kontrolle. Jiri Dvorak, mjeku përgjegjës i federatës botërore konfirmoi: “Kemi zhvilluar 256 kontrolle përpara startit të kupës dhe 196 gjatë aktivitetit. Të gjitha rezultatet e deritanishme janë negative”. Mjeku theksoi se në aktivitetet e organizuara prej FIFA-s nuk ekzistojnë raste të përdorimit të dopingut që prej vitit 2003. Ndërkohë, rasti i fundit i një futbollisti që kapet me substanca të ndaluara është ai i SHBA ‘94, kur Diego Armando Maradona u përjashtua nga turneu për shkak se kishte përdorur efedrinë. Dvorak shtoi se janë përmirësuar edhe statistikat e dëmtimeve gjatë ndeshjeve: “Pas ndeshjeve në grupe, mesatarja ishte dy dëmtime për ndeshje. Në Gjermani 2006 ajo ishte 2,3, ndërsa në Kore/Japoni 2002 mesatarja ishte 2,7”.
#