E Diel, 1 Nëntor 2026

Holanda u trembet surprizave, Shnajder shqetëson tulipanët

Paralajmërimi i Van Marvijk: Të mos e nënvlerësojmë Sllovakinë

Në stadiumin “Moses Mabhida” të Durbanit, Holanda do të përballet me Sllovakinë për një vend në çerekfinalet e Kupës së Botës 2010. “Tulipanët” paraqiten në këtë sfidë në formë të mirë dhe shpresojnë që më në fund ata kanë shansin të fitojnë trofeun më të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. Skuadra e drejtuar nga Bert van Marvijk, është e vetmja që së bashku me Argjentinën, e mbylli fazën e grupeve me pikë të plota, duke fituar përballë Danimarkës, Japonisë dhe Kamerunit. Kundërshtari i 1/8-ve nuk është një emër i madh, por drejtuesi i stolit “portokalli” ka paralajmëruar futbollistët e tij që të mos shfaqen “neglizhentë”. Kjo edhe për faktin se sllovakët janë surpriza e këtij edicioni, duke eliminuar Italinë kampione të vitit 2006. Van Marvijk i trembet besimit të tepruar të holandezëve, ashtu siç ndodhi në ndeshjen e fundit me Kamerunin. Ai nënvijëzoi se mungesa e impenjimit dhe respektit për Sllovakinë mund të rezultojë fatale. Tekniku holandez deklaroi: “Nuk duhet t’i nënvlerësojmë kundërshtarët. Nuk mund t’i lejojmë vetes që edhe në këtë ndeshje të shfaqemi neglizhentë, ashtu si kundër Kamerunit. Ajo ndeshje duhet të na shërbejë si mësim për të ardhmen”.

Holanda beson se mund të kualifikohet edhe për shkak të rikthimit të mesfushorit me tipare sulmuese, Arjen Roben. Lojtari i Bajernit të Mynihut luajti 20 minuta përballë kamerunasve dhe tregoi se është pika më e fortë e përfaqësueses së tij. Edhe 26-vjeçari i kërkoi shokëve të skuadrës të bëjnë kujdes. “E kemi theksuar që prej fillimit se do t’i shohim një nga një sfidat e botërorit. Për momentin jemi të përqendruar vetëm te Sllovakia. Po e pres me padurim këtë sfidë”, tha Roben. Më euforik është shfaqur Robin van Persi, i cili beson se holandezët kanë shansin të triumfojmë, pasi e kanë mbyllur dy herë këtë aktivitet në vendin e dytë (në vitin 1974 dhe 1978). Sulmuesi i Arsenalit është i bindur se kontingjenti i tanishëm mund të realizojë objektivin ku dështuan emra legjendarë si Johan Krujf, Rud Gulit apo Marko van Basten. “Me kalimin e çdo turi na presin ndeshje edhe më të vështira me kundërshtarë të mëdhenj. Megjithatë, jam shumë optimist për ecurinë e këtij ekipi”, deklaroi Van Persi. “Kjo është skuadra më e mirë në të cilën kam luajtur deri më tani. Rezultatet kanë qenë të mira, ndërsa kualiteti i skuadrës rritet dita-ditës. Ky është shansi më i mirë për ta fituar Kupën e Botës. Nëse shikoni moshën e titullarëve, pjesa më e madhe janë 25-26 vjeç. Deri në aktivitetin tjetër do të jemi 30-vjeçarë, megjithatë kjo i takon së ardhmes. Koha jonë është tani”. Edhe portieri Marten Stekelenburg konfirmoi se objektivi kryesor i Holandës është finalja dhe fitimi i trofeut. “Kemi luajtur në mënyrë kompakte në mbrojtje dhe kjo është e rëndësishme. Morëm pikët e plota në grup, edhe pse përballë Kamerunit nuk luajtëm mirë. Gjithsesi do të mundohemi të ngremë nivelin e lojës, duke filluar prej ndeshjes së radhës. Objektivi? Të arrijmë në finale dhe të fitojmë kupën”, tha numri 1 i portës.

Problemi i vetëm përpara takimit me Sllovakinë është gjendja fizike e Uesli Shnajder. Pasi ka shkëlqyer tek Interi, organizatori është kthyer në një pikë referimi në lojën ofensive të skuadrës. Kjo është arsyeja përse e gjithë Holanda është në ankth për dëmtimin në pulpë të mesfushorit, i cili e detyroi që të mos stërvitej me pjesën tjetër të grupit në fundjavë. Prezenca e Shnajder në ndeshjen e sotme është seriozisht në dyshim, pavarësisht se stafi mjekësor i “tulipanëve” shprehet optimist. 26-vjeçari, i cili ka zhvilluar stërvitje të diferencuar, shpjegoi për mediat holandeze: “Kam luajtur shumë gjatë këtij sezoni dhe ngarkesa e madhe mund të shkaktojë probleme të këtij lloji”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›