E Shtunë, 31 Tetor 2026

Argjentina kualifikohet mes polemikave

Kontestimet Ndeshja me Meksikën zhbllokohet nga goli i parregullt i Tevez

Argjentina mposht 3-1 Meksikën në “Soccer City Stadium”, impiantin e finales së Botërorit 2010 (objektivin kryesor të skuadrës së Maradonës) dhe kualifikohet në çerekfinale. Një “deja vu”: ashtu si 4 vite më parë, ata fitojnë përballë meksikanëve, por këtë herë me një rezultat më komod dhe brenda 90-minutëshit të rregullt. Gjithsesi, rezultati nuk tregon atë që ndodhi realisht në fushën e lojës. “Selesion” hasi mjaft vështirësi në minutat e para të takimit, madje ka rrezikuar të pësojë gol në tri momente. Por, falë “dhuratave” të gjyqtarit italian Roseti dhe mbrojtësit meksikan Ozorio, të besuarit e Maradonës kanë mbyllur virtualisht ndeshjen. Tevez (autor i dy golave) dhe Higuain i shfrytëzojnë në maksimum mundësitë e dhëna dhe përpara portës nuk falin. Ndërkohë, Leo Mesi vazhdon të mos zhbllokohet: disa driblime dhe gjuajtje, por goli ende nuk duket. Rasti i ardhshëm për yllin e Barcelonës do të jetë ai në Kejp Taun, në sfidën e 3 korrikut kundër Gjermanisë.
Momenti i parë i diskutueshëm është regjistruar në minutën e 26-të, kur Tevez në pozicion të dukshëm jashtë loje shfrytëzon një parabol të Mesit dhe me kokë zhbllokon rezultatin. Një gabim trashanik i treshes italiane të përcaktuar për këtë sfidë, që shkakton kontestimet e ashpra të lojtarëve meksikanë. Pasi panë përsëritjen e imazheve në televizorin e madh të stadiumit dhe e kuptuan gafën, për një moment u duk sikur Roseti me asistentët e tij Airoldi e Kalkanjo do ta anulonin rrjetën, por gjithçka vazhdoi si normalisht. Në të 33-tën, është Higuain ai që dyfishon shifrat, duke nxjerrë jashtë loje portierin Perez pas një gabimi të Ozorios. Me këtë rezultat skuadrat shkojnë në pushimin mes pjesëve, por pati edhe probleme: nuk munguan debatet e ashpra e përdorimi i duarve mes pjesëtarëve të dy pankinave, ndërsa Maradona doli në mbrojtje të gjyqtarit Roseti, pasi ky i fundit u rrethua nga meksikanët. Golin e tretë për argjentinasit e realizon Tevez, në të 52-tën me një goditje të jashtëzakonshme nga distanca, ndërsa rrjeta e Hernandez (72’) nuk i mjaftoi Meksikës për të kthyer fatin e ndeshjes.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›