Brazil-Kili, historia flet për seleçaon
Pas dominimit në fazën e grupeve të Kupës së Botës, ku të pesta pjesëmarrëset nga Amerika Jugore u kualifikuan, numri i skuadrave nga ky kontinent është i destinuar të ulet. Sot (ora 20:30 në Johanesburg) Brazili dhe Kili do të përballen për të përcaktuar përfaqësuesen që do të kualifikohet në çerekfinale, ndërsa njëra prej tyre do të detyrohet të largohet nga Afrika e Jugut. Për kilianët, sfida me “seleçaon” është një përballje, që të paktën sipas statistikave ata do të dëshironin ta shmangnin. Brazili nuk humbet prej 10 vjetësh me Kilin, prej disfatës 3-0 në vitin 2000, në një ndeshje të vlefshme për Kupën e Botës 2002. Verdhjeshilët kanë fituar shtatë duelet e fundit, duke shënuar 26 gola në portën e këtij kundërshtari dhe duke pësuar vetëm 3 rrjeta. Në dhjetë përballjet e kësaj dekade, Brazili ka fituar tetë herë, ka barazuar një ndeshje dhe ka humbur vetëm në një rast. Në finalet e Kupës së Botës, përfaqësueset janë takuar dy herë, ku fitues janë shpallur brazilianët: 4-1 në turin e dytë të edicionit 1998 dhe 4-2 në gjysmëfinalet e aktivitetit të vitit 1962 të zhvilluar në Kili. “Seleçao” ka fituar gjithashtu në të dyja ndeshjet eliminatore për Afrikën e Jugut 2010: me rezultatin 3-0 në fushën e Kilit (viti 2008) dhe 4-2 (viti 2009). Por, megjithëse historia flet kundër tyre, skuadra e drejtuar nga Marselo Bielsa nuk ka ndërmend ta ndryshojë stilin sulmues të lojës, për sfidën në “Elis Park”.
Duke u bazuar te këto shifra, brazilianët refuzojnë të marrin parasysh të vetmin detaj që mund të cilësohet si kërcënim: Kili ishte fare pranë vendit të parë në grupin kualifikues të Amerikës Jugore, duke grumbulluar vetëm një pikë më pak se kundërshtarët e sotëm. “Kemi hyrë në fazën ku 90 minutat janë vendimtare. Nuk lejohen gabimet, në të kundërt do të na duhet të kthehemi në shtëpi”, deklaroi trajneri Karlos Dunga. “Kili është përmirësuar në mënyrë të dukshme. Në këtë skuadër luajnë futbollistë mjaft cilësorë, të cilët do të luftojnë deri në fund për të vazhduar aventurën në Kupën e Botës”. Për 5-herë kampionët e botës në fushë do të kthehet mesfushori Elano, i cili mungoi në sfidën e barazuar pa gola me Portugalinë, për shkak të një dëmtimi në kavilje. Gjithashtu, Dunga do të ketë në dispozicion edhe organizatorin Kaka, i cili e përfundoi pezullimin dhe sulmuesin Robinjo, që u la pushim në ndeshjen e fundit në grup. Për Brazilin në dyshim janë mesfushorët Felipe Melo dhe Zhulio Baptista.
#