Pancerat marshojnë
Një leksion futbolli. Dhe një prej gabimeve më të pabesueshëm të gjyqtarëve në historinë e Kupës së Botës. Supersfida e 1/8-ve ndërmjet Gjermanisë dhe Anglisë ka dhuruar gjithçka: emocione, gola, spektakël nga të rinjtë e talentuar të drejtuar nga Joakim Lëv, gabimet e pafalshme të skuadrës së Fabio Kapelos dhe polemika. Gjermania e re, por më e freskët në këmbë, padyshim që e ka merituar fitoren 4-1, por në rezultatin final të ndeshjes ka ndikuar një gol i rregullt, i cili i është anuluar mesfushorit Frenk Lampard në minutën e 38-të, kur shifrat e ndeshjes ishin 2-1. Pas goditjes potente të lojtarit të çelsit nga jashtë zonës, topi kalon portierin Neuer dhe pasi përplaset në traversë hyn të paktën gjysmë metri brenda vijës fatale, ndërsa më pas del. Duke u bazuar te sinjalizimi i asistentit Mauricio Espinoza, gjyqtari uruguaian, Larrionda, vazhdon lojën. Por, përsëritjet e pamjeve filmike tregojnë qartë gabimin trashanik të “xhaketave të zeza”. Të gjithë e kuptojnë shumë shpejt që Anglisë iu mohua një gol i rregullt, madje edhe presidenti i FIFA-s, Sep Blater, i cili ndodhej në tribunë e që prej kohësh është shprehur kundër përdorimit të moviolës në fushat e futbollit. Natyrisht, vijërojtësi Mauricio Espinoza do të hyjë në historinë e futbollit për gabimin e tij, ashtu sikurse ka ndodhur më parë me asistentin sovjetik, Tofik Bakhramov, që cilësoi të rregullt golin e shumëpërfolur të Hurst në finalen e vitit 1966. Ndryshimi ndërmjet këtyre rasteve është se goli i 44-viteve më parë vazhdon të jetë temë debati dhe polemikash: kjo edhe sepse askush nuk mund të thotë me siguri që ajo rrjetë, e cila u dhuroi anglezëve të vetmen Kupë Bote, duhej anuluar. Ndërkohë, golin e Lampard në epokën e teknologjisë, ku është vështirë që në fushat e lojës të shpëtojë ndonjë detaj, e pa e gjithë bota.
Ai gol i paakorduar mund të kishte ndryshuar ekuilibrat psikologjikë të ndeshjes dhe barazimi do të linte gjithçka të hapur. Gjithsesi, e vërteta është se Gjermania e ka shkatërruar Anglinë me lojën e saj. Pas shpinës së Kloses, që në minutën e 20-të zhbllokoi rezultatin dhe shënoi golin e 13-të në botëror, lëviz një treshe e papërmbajtshme si Myler, ëzil dhe Podolski: me pasimet rrafsh me tokën, ata qarkullojnë topin me shpejtësi dhe shkëputen nga krahët, duke qenë të pakapshëm për mbrojtësit anglezë: një spektakël i vërtetë i lëvizjeve të shpejta dhe freskisë fizike. “Tre Luanët” nuk arrijnë të kundërveprojnë. Përkundrazi, me një mbrojtje thuajse inekzistente pësojnë edhe golin e dytë që mban firmën e Podolskit. Me krenari ata tentojnë të bëjnë diçka në minutat e fundit të pjesës së parë: në të 37-tën Apson ngushton diferencën, ndërsa pak sekonda më pas u regjistrua episodi me golin e paakorduar të Lampard. Gjithsesi, në fraksionin e dytë të lojës Anglia nuk arrin të përballet si e barabartë me Gjermaninë (përveçse me një traversë të goditur nga Lampard me goditje dënimi), ndërsa në minutat 67 dhe 70-të të besuarit e Kapelos bien në tapet: dy kundërsulmet të jashtëzakonshme të gjermanëve, finalizohen nga Tomas Myler, i cili mbyll ndeshjen. Në pjesën e mbetur të sfidës, britanikët ishin të pafuqishëm për të bërë diçka dhe prisnin vetëm fërshëllimën finale, për të marrë valixhet dhe për t’u larguar nga Afrika e Jugut. Në këtë mënyrë mbyllet botërori për skuadrën që përpara aktivitetit cilësohej si pretendente, por që në ndeshjet në grupe tregoi se përballë një kundërshtari cilësor dhe të mirorganizuar mund të vihej me shpatulla pas murit.
#