E Diel, 1 Nëntor 2026

5 Maji, politikanët përkujtojnë të veçuar Ditën e Dëshmorëve të Kombit



Politikanët shqiptarë kanë përkujtuar dje Ditën e Dëshmorëve të Kombit. Kryeministri Berisha dhe presidenti Topi kanë bërë homazhe dje në mëngjes në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, ku kanë nderuar veprën e tyre për lirinë e vendit gjatë Luftës Nacional Çlirimtare. Ndërsa krerët e opozitës, Edi Rama e Ilir Meta, i kanë kryer homazhet gjatë mesditës së djeshme. Gjatë ceremonisë zyrtare përkujtimore, kryeministri Berisha, në shenjë kujtimi dhe respekti të veprës së tyre heroike, vendosi një kurorë me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri”.
Kryeministri Berisha u shpreh se shqiptarët e nderojnë këtë ditë më të lehtësuar se kurrë ndaj të rënëve të tyre, pasi Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, ëndrrën dhe idealin e tyre e ka të sigurt njëherë e përgjithmonë. Ndërsa presidenti Topi u shpreh se dëshmorët e Atdheut përkujtohen gjithmonë me nderim të thellë. “Kjo ditë e shënuar vjen, si çdo vit tjetër, me një simbolikë të veçantë. Sot është dita kur ne rifreskojmë kujtimin e të rënëve për kombin. Natyrisht, vepra e tyre është një vepër e paharrueshme. Sot kemi ardhur të kujtojmë patriotët, të cilët dhanë jetën e tyre për pavarësinë e Shqipërisë, të gjithë ata që luftuan e derdhën gjak për çlirimin e Shqipërisë, të gjithë ata dëshmorë të Atdheut që kontribuuan dhe sakrifikuan jetën e tyre për forcimin e shtetit ligjor. Pra të gjithë së bashku sot i kujtojmë me një përkushtim të madh e me përulje të thellë, sepse gjithçka që Shqipëria sot po arrin është patjetër me vlerë dhe në themel ka pikërisht veprën e tyre dhe gjakun e tyre”, - është shprehur Topi. Kryetari i opozitës, Edi Rama, në ditën 5 Majit, nderoi të rënët për liri, por edhe viktimat e komunizmit të gjatë 45-vjeçar. Ai kujtoi Qemal Stafën, që u vra në rrugët e ëndrrës për liri, barazi dhe vëllazërim, si dhe shokët e tij, “të cilët u sakrifikuan për një botë të re e ndërsa bota e re në vend të vëllazërimit solli ndasitë e përgjakshme”, - u shpreh Rama. “18 vjet janë shumë për të humbur vlerat e bashkëjetesës demokratike”, - është shprehur Rama.
Në Varrezat e Dëshmorëve nderoi përkujtimin e të rënëve në Luftë edhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, me një nderim të ndarë në një orar të veçuar nga maxhoranca dhe nga PS-ja.

6 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›