Lorik Cana adhuron “armikun” Lion
Të adhurosh armikun. Të tregosh një respekt të pakufishëm për të. Madje publikisht. Kjo po ndodh me Lorik Canën. Kapiteni i Marsejës admiron hapur Olimpikun tjetër. Lionin. Kur kanë mbetur katër ndeshje nga përfundimi i kampionatit francez, Lioni (ende kampion në fuqi), duket se do të humbasë titullin e “mbretit” të Francës. Sipas faqes franceze, rmc.fr, kapiteni shqiptar i Marsejës, nuk e fsheh aspak admirimin e tij për 7-herë kampionët e Francës, Lioni, edhe pse ka dëshirë, që ai të shpallet kampion, pikërisht në fushën e tyre. “Në fushën e lojës unë jam kundërshtari i tyre i parë dhe i pari që do të dëshironte t’i mundte ata. Në të njëjtën kohë, unë kam një respekt të madh për këtë klub. Ata nuk i kanë vjedhur shtatë titujt e tyre dhe askush nuk u falur asgjë. Shtatë tituj në vazhdimësi është diçka historike në një kampionat të madh europian. Tani, është e qartë që unë kam dëshirë të shoh dikë tjetër që të bëhet kampion”, - thotë Cana. Olimpiku i Marsejës dhe Bordo bashkëkryesojnë kampionatin francez me nga 68 pikë, shtatë pikë më shumë se Lioni (61).
5 Maj 2009