E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria shqiptare raporton në Bruksel për zbatimin e MSA-së



Janë zhvilluar këto ditë në Bruksel dy takimet e para të nënkomitetit BE-Shqipëri, strukturë e re e ngritur me hyrjen në fuqi të MSA-së. Gjatë këtij takimi u diskutua rreth çështjeve ekonomike, financiare dhe të tregut të brendshëm, me fokus angazhimet e marra nga qeveria shqiptare në kuadër të zbatimit të detyrimeve që rrjedhin nga MSA-ja, si dhe rekomandimeve të Progres-raportit vjetor të Komisionit për Shqipërinë (2008).
Përfaqësuesit e palës komunitare deklaruan se ishin pozitivisht të befasuar mbi rritjen ekonomike të Shqipërisë për vitin 2008, ruajtjen e këtij ritmi zhvillimi, ecurinë në sektorin e privatizimit si dhe përmirësimin e dukshëm të klimës së biznesit, krahasuar kjo dhe me vendet e tjera të rajonit. Ata mirëpritën treguesit e kësaj rritjeje ekonomike ndaj së cilës kishin treguar skepticizëm, nisur nga kriza e thellë ekonomike që ka mbërthyer Europën dhe më gjerë. Çështjet konkrete që u trajtuan në këtë takim ishin: zhvillimi i përgjithshëm ekonomik dhe perspektiva në Shqipëri, inflacioni dhe politika monetare, sektori i jashtëm, bilanci i llogarive rrjedhëse (bilanci tregtar, remitancat) dhe llogaria financiare, zhvillimet fiskale dhe perspektiva në Shqipëri, marrëdhëniet me institucionet financiare ndërkombëtare etj. Me hyrjen në fuqi të MSA-se në datën 1 prill 2009, qeveria shqiptare ka detyrim të drejtpërdrejtë për të raportuar mbi zbatimin e MSA-së sipas strukturave të përcaktuara dypalëshe Shqipëri-BE.

6 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›