E Diel, 1 Nëntor 2026

5 deputetët socialistë: PS t’i kthehet parlamentit, të mos mbahet peng nga një karikaturë politike

TIRANE – Pesë deputetët e “Lëvizjes për Mendim Ndryshe” në Partinë Socialiste i kanë kërkuar grupit parlamentar të PS-së, të ndërpresë bojkotin e Kuvendit. Lëvizja e Ben Blushit dhe e Arben Malajt ka thelluar ndarjen nga linja zyrtare e Edvinit në PS, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të bojkotit, pasi ky qëndrim po e cenon imazhin e PS-së dhe po e lehtëson qeverisjen e dyshes Berisha-Meta.
Në një konferencë të përbashkët shtypi, Ben Blushi ka lexuar deklaratën zyrtare në emër të Lëvizjes për Mendim Ndryshe në PS, në emër të pesë deputetëve, ku rreshtohen edhe Arben Malaj, Kastriot Islami, Marko Bello e Andis Harasani. Në deklaratë i bëhet thirrje grupit parlamentar të PS-së të ndërpresë bojkotin parlamentar duke përshtatur kështu qëndrimin e vet politik me atë të institucioneve ndërkombëtare.
“Të shqetësuar se bojkoti cenon rëndë imazhin e PS-së duke e kthyer atë në qëndrime të vjetra e të tejkaluara; të bindur se bojkoti i parlamentit po kushtëzohet e imponohet kryesisht nga zgjedhjet brenda PS-së; të sigurt se sot vendi ka nevojë më shumë se kurrë për një opozitë në parlament përballë një qeverie, e cila nuk garanton reforma dhe proces të shpejtë të integrimit të vendit, ne i kërkojmë grupit parlamentar të PS-së të lexojnë me qetësi e realizëm të gjitha qëndrimet e faktorit ndërkombëtar për zgjedhjet, dhe kërkesën e tyre unike për praninë opozitare në Kuvend. Së dyti, të ndërpresë në një kohë sa më të shpejtë bojkotin e parlamentit duke përshtatur qëndrimin e vet politik me atë të institucioneve ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e Blushit dhe Malajt.
Në deklaratën e mëtejshme për shtyp, Blushi dhe Malaj e lidhën bojkotin e Parlamentit me zgjedhjet brenda PS-së ndërsa shtuan se anëtarët e PS-së ‘pro’ bojkotit po intimidohen për të mos u futur në Parlament. “Qeveria ka një luks të cilin ne nuk duhej t’ia kishim garantuar. U miratua programi i qeverisë dhe nuk u dëgjua qëndrimi i PS-së mbi këtë program sepse PS-së nuk është në parlament, por duke bredhur nga një takim në tjetrin, duke intimiduar anëtarët e PS të cilët kërkojnë që PS të futet në shinat që ka përcaktuar ky sistem”, u shpreh për mediat deputeti Ben Blushi, i cili ka lënë të kuptohet se së afërmi do të thyhej edhe vendimi politik për bojkotin, pasi s’mund të vijohet me veprime politike kamikaze. Lidhur me kërcënimet për përjashtime nga partia, deputetët u shprehën të vendosur, duke përsëritur se këto metoda staliniste nuk mund të zbatohen nga karikatura politike.
Partia Socialiste nuk arriti të fitojë shumicën e deputetëve në zgjedhjet e 28 qershorit, ndërkohë që kryetari në detyrë, Edi Rama, ka deklaruar se PS humbi për shkak të deformimit të votës. Në këto kushte, PS ka marrë një vendim politik për bojkot të Kuvendit, nëse nuk ngrihet një hetimor për transparencën e zgjedhjeve.
Kësisoj grupi parlamentar i PS-së, i përbërë nga 65 deputetë, nuk ka marrë pjesë në asnjë seancë parlamentare, prej 7 shtatorit kur dhe nisi punimet Kuvendi i ri. Pesë prej deputetëve të PS-së janë kundër këtij vendimi dhe vijës politike që ka ndjekur deri tani kryetari në detyrë, Edi Rama, duke iniciuar dy javë më parë dhe “Lëvizjen për mendim ndryshe” në PS.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›