E Diel, 1 Nëntor 2026

Në PS kthehet Stalini, e tufëzon deputetët në një kamp përqendrimi

Edvini u ka mbyllur dje gojën anëtarësisë socialiste në Vlorë, që i kërkonte marrjen e përgjegjësisë për humbjen, ndërkoëh që në Tiranë ka urdhëruar mbylljen e deputetëve në selinë e PS apo nëpër shtëpi, që ta bëjnë më të qartë shkëputjen nga grupi i 5 deputetëve që kërkojnë ndërprerjen e bojkotit. Në panik e sipër, Edvini shqipton idenë e përjashtimit për deputetët që do të shkelin në parlament

TIRANE – Kryesocialisti në detyrë Edi Rama, i rikthehet edhe njëherë farsës së kërcënimeve, por ketë herë kërcënimi është kolektiv, për të gjithë deputetët përfaqësues të “Lëvizjes për Mendim Ndryshe”. Sipas retorikës së ylberistit, nëse deputetët Ben Blushi, Arben Malaj, Kastriot Islami, Marko Bello dhe Andis Harasani do të vendosin të ndërpresin bojkotimin e parlamentit dhe do të ulen në karriget e kuvendit, atëherë mbi ta do të rëndojnë përgjegjësi dhe njëherazi janë të përjashtuar nga radhët e partisë.
Gjatë një takimi të zhvilluar dje me strukturat socialiste në Vlorë, kryesocialisti në detyrë inskenoi gjithçka në mënyrë shtrënguese dhe sipas hesapeve të tij personale, duke u ndërprerë fjalën anëtarëve të PS-së lokale dhe ish-drejtueseve të saj ndër vite, thjesht e vetëm se bënin thirrje për një parti konstruktive dhe parlamentare njëkohësisht, përderisa qytetarët dhe socialistët e thjeshtë i kanë besuar votën.
Mirëpo, përkundrejt këtij qëndrimi të pranueshëm dhe njëherazi luajal për anëtarësinë e thjeshtë socialiste, nuk ka munguar reagimi i ashpër i kryesocialistit në detyrë Edi Rama, i cili ka fyer kryesinë e PS-së dega Vlorë dhe njëherazi ka deklaruar se të gjithë këtë mesele ia kanë sajuar deputetët e “Lëvizjes për Mendim Ndryshe”, për të cilët u shpreh se shumë shpejt do të mësojnë edhe fatin e tyre, nëse vendosin të kthehen në parlament, siç edhe kanë paralajmëruar. 
Kësisoj, Edvini ripërtërin diktatin në selinë ylberiste dhe kërkon të ruajë forcat e venitura politike të tij dhe hispanikëve më të afërt, thjesht e vetëm, për të neutralizuar mendimin kritik, gjithashtu dhe për të penalizuar procesin reformator në vend. Prezenca e Partisë Socialiste në Kuvend, është kthyer tashmë në një çështje klasike, teksa ditë pas dite, po kritikohet jo vetëm nga opinioni politik, por dhe mediatik dhe më gjerë nga ai publik që ndjek me interes të veçantë zhvillimet ditore politike, dhe pret nga politika shqiptare, realizmin e atyre programeve, që duan miratim unanim dhe synojnë evropianizimin e vendit.
Por, përpos kësaj ambicie shekullore të shqiptarëve, pra, për Shqipërinë e integruar në Bashkimin Evropian, ekziston një klikë drejtuese në partinë opozitare, me një profesionalizëm populist dhe ksenofob.
Dhe kjo, udhëhiqet nga një njeri i vetëm, Edi Rama, i cili nuk njeh proceset demokratizuese të vendit, nuk njeh certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve nga ndërkombëtarët dhe nuk pranon të njohë as progresin e vendit të tij, në kuadër të afrimit me vendet e BE-së. Ai nuk njeh dhe as nuk pranon të dijë se shqiptarët duan të lëvizin të lirë, si të gjithë homologët e tyre në mbarë hapësirën e kontinentit të vjetër.
Edhe në Vlorë, ylberisti përsërit të njëjtin refren: nuk kthehemi në parlament. Teksa, nga ana tjetër, rikonfirmon edhe njëherë fushatën e tij të kërcënimeve, këtë herë nuk kërcënohet vetëm Ben Blushi, por edhe kolegët e tij, të “Lëvizjes për Mendim Ndryshe”. Edvini u përcolli kërcënimin e radhës se nëse vendosin të kthehen në kuvend, në kundërshtim me vendimin populist të ylberistëve, atëherë ata do të përballen me pasoja të rënda. 
Ndërkaq, incidentet e Ramës në Vlorën i ka denoncuar edhe ish-kryetari i Partisë Socialiste të Vlorës, Bashkim Habili, i cili u shpreh se Edi Rama i ka prerë fjalën gjatë turit për kryetar të PS-së në këtë qytet dhe madje edhe e ka ofenduar. Në një intervistë televizive, Habili shtoi se sapo përfunduan fjalën Rama dhe Lakrori, mediat u nxorën jashtë dhe debati lidhur me mos bojkotimin e Kuvendit nga PS-ja degjeneroi edhe në ofendime. Sipas Habilit, salla i drejtoi disa pyetje Rama të cilat kishin të bënin kryesisht me bashkimin e së majtës dhe me futjen në parlament.
Në fushatën për zgjedhjet në Partinë Socialiste, kryetari në detyrë Edi Rama po përballet gjithnjë e më shumë me kritikat e ashpra të anëtarësisë për humbjen e socialistëve në zgjedhje dhe mosrespektimin e statutit nga ana e tij. Pas Shkodrës, debate me tone të larta ka patur edhe në takimin e Vlorës, i cili u zhvillua në frymën e ndjekur në mbledhjen e asamblesë socialiste dhe në kongres, pa praninë e medias.

Blendi Klosi përsërit kërcënimin në emër të Edvinit

TIRANE – Por brenda pak minutash, Edvini ka kryer lëvizjen e vet, duke nxjerrë Blendi Klosin për të konfirmuar se bojkoti nuk do të ndërpritet, të paktën derisa të mbarojnë zgjedhjet brenda PS-së dhe të mundësohet përjashtimi i 5 deputetëve nga radhët e grupit parlamentar. Në një dalje pa pyetje mediash në poltronën e PS-së, deputeti Blendi Klosi, kërkoi zbardhjen e së vërtetës së 28-qershorit.
“Dje qytetarët shqiptarë panë me sytë e tyre një shfaqje të turpshme të një qeveri të re të politikës së vjetër. Një shfaqje hipokrite të degradimit të tejskajshëm, jo vetëm për shqiptarët që votuan përsëri në shumicë që Sali Berisha të mos e qeveriste më këtë vend, dhe të shkonte në pension politik, por dhe për të gjithë ata njerëz të ndershëm që kërkojnë që ky vend të qeveriset nëpërmjet votës së lirë. Dita e djeshme për qytetarët shqiptarë qe një ditë tjetër e shpresës së vrarë nga Sali Berisha dhe shpura e tij që pasi plaçkitën katër vjet Shqipërinë grabitën në mënyrë të paturpshme dhe zgjedhjet” deklaroi Klosi.
Sipas Klosit, Sali Berisha është i paaftë dhe i pa interesuar për të dhënë zgjidhje halleve të qytetarëve, ai dëshmoi dhe njëherë se nuk do të qeveris dot ndryshe, por do të vazhdojë mjeshtërisht pasurimin e oborrit të tij personal pavarësisht  patericave të reja që i ofroi Ilir Meta me votat e marra falë një mashtrimi të madh publik.
“Sali Berisha me ministra të kërkuar nga drejtësia dhe me ministra që mashtruan popullin opozitar nuk mund të qeverisë dot në mënyrë demokratike vendin dhe prandaj Partia Socialiste është çdo ditë dhe më e vendosur të vazhdojë misionin  e saj historik, atë të rezistencës demokratike në plotësim të standardeve të munguara. Sali Berisha i trembet së vërtetës së kutive të votimit të cilat i mban peng në mënyrë të kundërligjshme” tha më tej deputeti i PS-së.

5 deputetët socialistë: PS t’i kthehet parlamentit, të mos mbahet peng nga një karikaturë politike

TIRANE – Pesë deputetët e “Lëvizjes për Mendim Ndryshe” në Partinë Socialiste i kanë kërkuar grupit parlamentar të PS-së, të ndërpresë bojkotin e Kuvendit. Lëvizja e Ben Blushit dhe e Arben Malajt ka thelluar ndarjen nga linja zyrtare e Edvinit në PS, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të bojkotit, pasi ky qëndrim po e cenon imazhin e PS-së dhe po e lehtëson qeverisjen e dyshes Berisha-Meta.
Në një konferencë të përbashkët shtypi, Ben Blushi ka lexuar deklaratën zyrtare në emër të Lëvizjes për Mendim Ndryshe në PS, në emër të pesë deputetëve, ku rreshtohen edhe Arben Malaj, Kastriot Islami, Marko Bello e Andis Harasani. Në deklaratë i bëhet thirrje grupit parlamentar të PS-së të ndërpresë bojkotin parlamentar duke përshtatur kështu qëndrimin e vet politik me atë të institucioneve ndërkombëtare.
“Të shqetësuar se bojkoti cenon rëndë imazhin e PS-së duke e kthyer atë në qëndrime të vjetra e të tejkaluara; të bindur se bojkoti i parlamentit po kushtëzohet e imponohet kryesisht nga zgjedhjet brenda PS-së; të sigurt se sot vendi ka nevojë më shumë se kurrë për një opozitë në parlament përballë një qeverie, e cila nuk garanton reforma dhe proces të shpejtë të integrimit të vendit, ne i kërkojmë grupit parlamentar të PS-së të lexojnë me qetësi e realizëm të gjitha qëndrimet e faktorit ndërkombëtar për zgjedhjet, dhe kërkesën e tyre unike për praninë opozitare në Kuvend. Së dyti, të ndërpresë në një kohë sa më të shpejtë bojkotin e parlamentit duke përshtatur qëndrimin e vet politik me atë të institucioneve ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e Blushit dhe Malajt.
Në deklaratën e mëtejshme për shtyp, Blushi dhe Malaj e lidhën bojkotin e Parlamentit me zgjedhjet brenda PS-së ndërsa shtuan se anëtarët e PS-së ‘pro’ bojkotit po intimidohen për të mos u futur në Parlament. “Qeveria ka një luks të cilin ne nuk duhej t’ia kishim garantuar. U miratua programi i qeverisë dhe nuk u dëgjua qëndrimi i PS-së mbi këtë program sepse PS-së nuk është në parlament, por duke bredhur nga një takim në tjetrin, duke intimiduar anëtarët e PS të cilët kërkojnë që PS të futet në shinat që ka përcaktuar ky sistem”, u shpreh për mediat deputeti Ben Blushi, i cili ka lënë të kuptohet se së afërmi do të thyhej edhe vendimi politik për bojkotin, pasi s’mund të vijohet me veprime politike kamikaze. Lidhur me kërcënimet për përjashtime nga partia, deputetët u shprehën të vendosur, duke përsëritur se këto metoda staliniste nuk mund të zbatohen nga karikatura politike.
Partia Socialiste nuk arriti të fitojë shumicën e deputetëve në zgjedhjet e 28 qershorit, ndërkohë që kryetari në detyrë, Edi Rama, ka deklaruar se PS humbi për shkak të deformimit të votës. Në këto kushte, PS ka marrë një vendim politik për bojkot të Kuvendit, nëse nuk ngrihet një hetimor për transparencën e zgjedhjeve.
Kësisoj grupi parlamentar i PS-së, i përbërë nga 65 deputetë, nuk ka marrë pjesë në asnjë seancë parlamentare, prej 7 shtatorit kur dhe nisi punimet Kuvendi i ri. Pesë prej deputetëve të PS-së janë kundër këtij vendimi dhe vijës politike që ka ndjekur deri tani kryetari në detyrë, Edi Rama, duke iniciuar dy javë më parë dhe “Lëvizjen për mendim ndryshe” në PS.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›