E Shtunë, 31 Tetor 2026

"50 Cent", një koncert për shqiptarët

Për të gjitha ata që pëlqejnë muzikën rep ka një lajm të mirë. "50 Cent" do të vijë në Prishtinë. Ardhja e tij është konfirmuar edhe zyrtarisht nga drejtori i IPKO-s, Akan Ismaili, dhe koordinatori për marrëdhëniet me publikun, Petrit Selimi. Ftesa është pikërisht e kësaj kompanie dhe qëllimi është promovimi i operatorit të dytë celular në vend. Ardhja e "50 Cent" është pjesë e fushatës së marketingut të kompanisë së dytë telefonike në Kosovë IPKO, por ftuesit nuk e kanë bërë të ditur sesa ka kushtuar ardhja e reperit me famë botërore në Kosovë. Por njerëzit e kanë një shifër që e përflasin e ajo është marramendëse, një milion euro. "Këto thashetheme janë të pavërteta", ka thënë Ismaili për mediat, pasi ardhja e reperit është një dhuratë për Kosovën. "Këtë pak kush e beson. Petrit Selimi, ndërkaq, tha se pikërisht në fundvit në stadiumin e Prishtinës do të jetë këngëtari i madh amerikan. "Kjo do të jetë dhuratë kulturore në Kosovë, pasi ka kohë që në kryeqytetin tonë nuk ka ardhur një këngëtar i madh, sikurse është ‘50 Cent‘", u shpreh koordinatori Selimi. Sipas tij, para këngëtarit do të këndojnë këngëtarë të njohur për publikun kosovar. Në faqen zyrtare të këngëtarit http://www.50cent.com/-/Tour, "50 Cent" ka konfirmuar ardhjen e tij. Po ashtu, lajmin e ka bërë të ditur edhe faqja e televizionit më të madh muzikor në botë, www.mtv.com/news dhe www.charmenko.com . Në lidhje më këtë, Selimi thotë se kjo çështje tashmë është kryer dhe se kontratat janë bërë. "Vetëm nëse ndodh ndonjë sëmundje e papritur e këngëtarit, sepse që të gjitha kontratat janë nënshkruar", thotë ai. Skena e "50 Cent" do të punësojë të paktën 100 persona. Koncerti i "50 Cent", i cili do të mbahet në Prishtinë më 17 dhjetor, është një ndër koncertet më të komentuara edhe në faqen zyrtare të "50 Cent". Në to nuk mungon politika, debate të ashpra në mes të shqiptarëve dhe serbëve janë zhvilluar, a thua se është botuar një lajm rreth politikës. Serbët nuk mund ta pranojnë faktin që "50 Cent" po vijnë në Prishtinë, para se të shkojë në Beograd. Ndërkaq, organizatorët e koncertit thanë se qysh tani kanë kërkesa të mëdha për akreditimin e pothuajse të gjitha mediave të huaja në Prishtinë. Po ashtu, gazetarët do të kenë të gjitha akreditimet për përcjelljen e këtij koncerti. Çmimi i biletës nuk dihet ende, por do të jetë e kripur. Ata që e kanë bërë ftesën vazhdojnë të këmbëngulin se "ky koncert është një dhuratë për popullin e Kosovës, kështu që bileta për këtë koncert nuk do të ketë natyrë komerciale", tha Selimi. Po ashtu, nuk dihet se a do të ketë ndonjë ueb-faqe për rezervimin e biletave. Mërgimtarë të ndryshëm nga diaspora shqiptare, tashmë kanë prerë biletat e aeroplanit për ta përcjellë koncertin, ndërkohë që stadiumi i Prishtinës nuk ka kapacitet më të madh se 30000 njerëz. Por ka mundësi që të gjithë ata që do të shkojnë në stadium duhet të blejnë një numër telefoni celular.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›