E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy dekada pa Jakup Kerajn

Këto ditë u mbushën 20 vjet nga vdekja e piktorit të njohur shqiptar Jakup Keraj. Ky 20-vjetor i largimit nga jeta të piktorit shkodran, u përkujtua dhe në qytetin e tij, në hapjen e ekspozitës "Salloni i vjeshtës 2007". Sepse, Jakup Keraj me veprën e tij mbetet i përfshirë ndër qindra emra të shquar të kulturës shkodrane. Ndërsa në raport me artin kombëtar, ai njihet si një ndër piktorët më të shquar të periudhës së pasluftës, por jo duke u përfshirë nën "kthetrat" e realizmit socialist. Po të shihen me vëmendje veprat e Kerajt, vihet re që tematika e përzgjedhur prej tij ishin tejet larg frymës së kohës, të paktën të asaj të imponuar nga devizat ideologjike. Jakup Keraj renditet më së shumti si një portretist dhe një peizazhist në historinë e vonë të artit pamor shqiptar. Shaban Hadëri ka deklaruar se Jakup Keraj mbetet vizatuesi më i mirë shqiptar. Për të, Keraj nuk ishte vetëm një portretist unikal, por dhe një tabloist e peizazhist mjeshtër. Madje, Hadëri është shprehur se Keraj i kalonte caqet e të qenit realist në pikturë, duke zotëruar dhe impresionizmin e modernizimin.

Sakaq, jo e zakontë ishte dhe jeta e tij. Keraj përjetoi një ekzistencë të përvuajtur për shumë shkaqe dhe kjo i imponoi dhe një lloj mbylljeje në vetvete. Ai ishte mik dhe me Danish Jukniun, një tjetër piktor i njohur shkodran, me të cilin ndanë shumë fate të përbashkëta në jetë, si dhe atë të largimit nga jeta si pasojë e sëmundjeve. Portreti i Jukniut është dhe një ndër veprat më të njohura të Kerajt. Ndërsa vepra e fundit, para se të ndahet nga jeta, ka qenë një peizazh i Ramzës, ku kishte shkuar për kurim. Të tjera vepra të njohura të tij janë: "Kuvendi i Lezhës", "Heronjtë e Mashkullorës", "Shkodra", "Buna" etj. Ndërsa një ndër punimet që i sollën kokëçarje, duke mos ia pranuar ishte "Marshimi partizan". Vepra iu konsiderua si paksa "ruse", (me realizëm të theksuar), në kohën kur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik ishin prishur. Keraj, në fakt, i përkiste shkollës ruse dhe ishte pjesë e asaj plejade artistësh të zhanreve të ndryshme që u edukuan në këtë shkollë. Por, gjithnjë frymëzim të tij, kishte treshen legjendare të piktorëve shkodranë: Kol Idromenon, Zef Kolombin e Simon Rrotën. Jakup Keraj ndërroi jetë 20 vjet më parë në moshën 57-vjeçare. Edhe pse iu prezantua publikut vetëm me 2 ekspozita personale gjatë gjithë karrierës së tij, ai është nderuar me titujt e lartë "Artist i Merituar" dhe "Mjeshtër i Madh i Punës". Kjo, ngaqë veprat e tij, nuk mbetën vetëm brenda caqeve të ekspozitave, por gëzuan famë në shumë drejtime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›