Johny Depp: Unë, nga pirat i mirë në berber djallëzor
Në pesë filmat e mëparshëm xhiruar me regjisorin Tim Burton, Johny Depp ka interpretuar personazhe simpatike, të çuditshme, si "Eduart duargërshëra", "El Wood" dhe "Willy Wonka". Por vrasësi serial psikopat i "musical" horror drejtuar nga Burton, "Sweeney Todd", nuk ka asgjë të dashur. Këtë herë Depp luan rolin e një berberi londinez që masakron klientë të pafajshëm, duke i therur në fyt. Më pas, përmes një kapanxhe në dysheme, i shtyn dhe i hedh në shtëpinë e të dashurës së tij znj. Lovett (interpretuar nga aktorja Helena Bonham Carter), e cila i kthen në çorbë mishi. Pjesa më e madhe e skenave të frikshme janë të shoqëruara nga këngët e Stephen Sondheim. Filmi, musical i Broadway-it "Sweeney Todd: The Demon Barber of Fleet Street" fitoi një çmim "Tony" si musical më i mirë në vitin e largët 1979. Në një intervistë të dhënë në Tokio, Depp shfaqet si gjithmonë i jashtëzakonshëm. Me syze, kapele, xhinse të gjera, varëse e byzylykë të varur në qafë e duar, tatuazhe, mishëron në mënyrë perfekte Hollivudin.
Ju jeni i dashuruar pas musical e Broduejt?
Jo. Jo në veçanti. Një spektakël si "Sweeney Todd" kaq i bëshëm, operistik, normalisht nuk do të më tërhiqte, por sa mundësi ka një aktor të interpretojë një vrasës serial në një musical? Kështu pranova sapo Tom më telefonoi. Detyra ime është e mbushur me rreziqe, jeton në një peshore mes dështimit dhe suksesit. Kur të jem duke vdekur dua të them "nga ky moment në tjetrin kam qenë serioz, i ndershëm dhe kam pranuar të bëj gjithçka". Ekziston gjithmonë mundësia që të refuzosh një film e si pasojë të mbetesh pa punë. Megjithatë, unë e adhuroj rrezikun dhe kam dëshirë të rrezikoj. Më duket mrekulli që vazhdoj të jem ende një nga aktorët më të preferuar të Hollivudit.
Sipas këngëtarëve, pjesët e Sondheim janë një ekzekutim i vështirë. Jeni në dijeni se çfarë nuk shkonte?
Po, dhe isha i trembur. Kur Tim më pyeti nëse dija të këndoja, iu përgjigja: "Nuk e di". Por Sondheim më dha "ok"-in duke më thënë se teknika ishte sekondare përballë transmetimit të emocioneve. Të tjerë mendonin se duhej të merrja një mësues muzike, por sa më shumë që i afrohesha muzikës dhe personazhit, aq më pak ndieja nevojën për të marrë mësime nga një mësues. Duhej ta bëja në mënyrën time.
Si e përshkruani "Sweeney Todd"?
Një personazh të zi, madje ka vdekur prej kohësh. Vështirësia qëndronte pikërisht në faktin se a mund të provoje t‘ia bëje të dashur publikut një personazh që masakron njerëzit.
Nuk keni frikë se mund të shëmtoheni në skenë?
Jo, të jesh i shëmtuar është më mirë se i bukur, sepse pamja e shëmtuar zgjat më shumë sesa bukuria dhe herët a vonë jemi të gjithë viktima të gravitetit.
Çfarë ka të veçantë në bashkëpunimin me Tom Burton? Keni xhiruar gjashtë filma me regjinë e tij dhe më kryesorja ai është edhe kumbari i djalit tuaj…
Tom, është një prej atyre regjisorëve që rrezikon dhe ky fakt më pëlqen jashtëzakonisht. Një tjetër detaj është se nuk kemi bërë kurrë fjalë me njëri-tjetrin. Gjërat shkojnë për mrekulli, frika ime e vetme është se mos e zhgënjej.
Jeni i kënaqur se si ka ndryshuar karriera juaj në 5 vitet e fundit?
Kam pasur mundësinë t‘i bëj të gjitha gjërat që kam dëshiruar dhe të punoja me shumë njerëz, kështu që jam i kënaqur. Jam i lumtur për suksesin, veçanërisht për familjen time. Me ndihmën dhe përkrahjen e tyre jam bërë një njeri më i mirë e për pasojë një aktor i shkëlqyer. Nuk kam qenë kurrë më parë një person kaq i ekuilibruar, ajo çoroditje që ekzistonte më parë është zhdukur. Më parë nuk e dija se ç‘ishte lumturia dhe nuk kam ditur ta vlerësoj atë që më jep sot karriera ime. Ndihesha tepër i vetmuar dhe nuk bëja gjë tjetër veçse të "helmoja" veten: pija shumë alkool dhe cigare, kisha mungesë gjumi. Nëse do të kisha vazhduar në rrugën e vjetër tashmë, nuk do të isha gjallë.
Ju e keni njohur Vanesa Paradis dhjetë vjet më parë. Pse keni pasur një tërheqje kaq të fortë mbi jetën e saj?
Më ka bërë të ndihem një qenie njerëzore dhe një krijesë Hollivudi. Më ndryshoi jetën dhe mua si person me ëmbëlsinë e saj që e karakterizon. E kuptova menjëherë që nuk mund të jetoja pa të. Jam liruar nga shumë gjëra të cilat më trembnin, më bezdisnin e më ngatërronin, së bashku me alkoolin që më ndihmonte të harroja problemet e mia.
E keni pasur të vështirë ta hidhnit pas krahëve kapitenin Jack Sparrow në xhirimet e fundit të episodit të tretë të "Piratit të Karaibeve"?
Sigurisht nuk kam qarë, por e kam pasur shumë të vështirë t‘i them lamtumirë. Kapiteni Jack ka sjellë shumë gjëra pozitive në botën time. Për të do të kem gjithmonë konsideratë maksimale. Nëse do të më kontaktonin për ta luajtur sërish, këtë herë do të mendohesha seriozisht.
Ju jeni 44 vjeç, pse femrat tërhiqen kaq shumë prej jush?
Nuk e di, ndoshta kanë parë ndonjë nga filmat e mi dhe ju vjen keq për mua.
Mendoni se do t‘i trembni me "Sweeney Todd"?
Ah më në fund, një kthesë radikale.