E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një grusht eshtrash që s‘blihen me para

Në afërsi të Parkut Arkeologjik të Antigonesë, në skajin lindor të krahinës së Lunxhërisë në rrethin e Gjirokastrës, ndodhet Manastiri Ortodoks i Spilesë dhe shpella e besimtarëve eremitë që i përkushtoheshin Zotit në mënyrën më origjinale, në heshtje, në vetmi, në varfëri dhe pendesë të përjetshme. Shpella e të vetësakrifikuarve është një zgavër rreth 20 metra e gjerë dhe 3 - 4 metra e thellë, vendosur në lartësinë rreth 15 metra në faqen e thepisur të një shkëmbi, që duhet të jetë të paktën 50 metra i lartë. Vendi përreth shkëmbit gjigant është i mbuluar nga myshqet, gjelbërimi dhe rrënojat e një ish-manastiri të Spilesë i braktisur nga "kallogretë" (murgeshat) qysh para pushtimit italian të vitit 1939. Në qendër të territorit të ish-manastirit gjendet kisha e "Fjetjes së Shën Mërisë", një objekt i rrallë kulti dhe njëkohësisht një monument kulture që dallohet qartë se i ka rezistuar me shumë vështirësi kohës.

Shpella e eremitëve, që ndodhet në lartësi dhe që për të shkuar deri aty vizitorit do t‘i duhet të ngjitë disa shkallë të improvizuara, ka ende brenda saj frymën e besimtarëve, eremitëve dhe skeletet e disa prej tyre, që e kanë pritur vdekjen e tyre qetësisht në zgavrat e brendshme të shpellës. Pelegrinët, kryesisht besimtarë ortodoksë nga fshatrat e Komunës së Antigonesë, vijnë shpesh këtu, ndërkohë në datën 8 shtator të çdo viti mblidhen dhe festojnë ditën e festës së manastirit.

Duke u ndodhur vetëm rreth 1.2 kilometra në veri të fshatit Saraqinisht, 2 km afër qytetit antik të Antigonesë dhe rreth 20 kilometra në verilindje të qytetit të Gjirokastrës, ky ambient mund të kthehet në një pikë të rrallë turistike me interes për rritjen e të ardhurave të banorëve të krahinës së Lunxhërisë.

Ambientet e brendshme të shpellës, ku në një arkë kartoni të mbështjella me një çarçaf të bardhë vazhdojnë të ruhen rreth 10 skelete njerëzore të padëmtuara, disa ikona dhe sende të jetës së përditshme, nga vendasit konsiderohet si një nga vendet më të shenjta dhe me veti të rralla kuruese për sëmundje të brendshme, sëmundje mendore dhe për të luftuar sterilitetin e grave dhe burrave që nuk bëjnë fëmijë.

Pikërisht për këtë qëllim shumë njerëz nga vise të ndryshme të jugut vijnë këtu e ndezin qirinj për të gjetur shërim.

Vizitorët mund të shuajnë kuriozitetin dhe të marrin informacion për jetën e vetmuar të eremitëve të lashtë që kanë nisur të besojnë te Krishti me mënyrën e vet origjinale qysh në vitet e para të përhapjes së doktrinës së Krishterimit në Izrael dhe më pas kjo mënyrë u përhap edhe në vende të tjera. Jetë të ngjashme me atë të eremitëve bëjnë edhe sot murgjit në Malin e Athosit, Malin e Shenjtë, Malin e Virgjër, ku nuk ka shkelur deri më sot këmbë femre.

Në brendësinë e guvës së shenjtë është improvizuar një "kishëz" e vogël ku dallohet ikonostasi modest dhe disa ikona të vendosura në faqen shkëmbore të shpellës. Në pjesën e thepisjes së shkëmbit shpella ka dy hapësira që mund të merren për dritare apo frëngji, të cilat shikojnë nga e vetmja hyrje për në mjedisin e manastirit dhe për këtë qëllim vendasit e quajnë shpellën si një fortesë natyrore për të ruajtur manastirin nga i vetmi shteg prej ku mund të vijnë pelegrinët, murgeshat apo edhe keqbërësit. Në disa dhomëza të ngushta dallohen mbetjet prej parafine të djegur të qirinjve të ndezur nga besimtarët që guxojnë dhe ngjiten në lartësinë e shpellës së eremitëve. Në një prej dhomëzave hapësira ngushtohet dhe është e vështirë që të hysh e të dallohet fundi i shpellës dhe kjo lë vend për hamendësime e legjenda për vazhdimësinë e kësaj shpelle të rrallë.

Në fund të shkëmbit të thepisur gjenden disa shpella me hapësira të mëdha, që, sipas vendasve, janë strehuar brenda tyre rreth 120 lopë që kishte dikur në pronësi manastiri. Aktualisht, në këto hapësira strehohet kopeja me 300-400 krerë dhi e blegtorit Tasim Qëndro, që aktualisht është i vetmi person i cili jeton në hapësirat e rrënojave të ish-manastirit. Tasimi ka ngritur stanin e tij midis shpellës e kishës dhe thotë se në guvat e tjera të shkëmbit të Spilesë kanë foletë e tyre shpendë të rrallë si shqiponja, skifteri me sqep të kuq dhe kokoshi i egër, që, sipas tij, këngën e mëngjesit e ka një piskamë të frikshme për atë që e dëgjon për herë të parë. Midis hapësirave të shkëmbit ka edhe hoje bletësh, mjaltin e të cilave është vështirë për ta mbledhur. "Në vitin ‘80 disa barinj nga Kuçi i Vlorës u varën me litar nga maja e shkëmbit dhe me loparë arritën të mbledhin në disa thasë plastmasi rreth 20 kuintal mjaltë nga zgavrat e shkëmbit", thotë bariu Tasim Qëndro. Gjurmët e zjarrit që kanë përdorur blegtorët vlonjatë për të larguar bletët nga hojet e tyre natyrore dallohen lehtësisht edhe sot. Në disa lartësi të shkëmbit që janë të paktën 30 metra larg nga sheshi i manastirit.

Në mjedisin përreth shpellës së Eremitëve dallohen edhe trungjet e disa bimëve dhe pemëve të rralla, si lulak, dafinë, çerçeme etj., që dikur lëshonin hije në sheshin e manastirit. Kujdestari i kishës së manastirit, Pilo Marku, thotë se komuniteti i murgeshave ortodokse u largua për në Greqi nga ky mjedis në fillim të vitit 1939, pak javë para mbërritjes së ushtarëve italianë dhe para nisjes së luftës italo-greke.

Në mjediset e shpellave të eremitëve të Lunxhërisë njeriu ndien nga afër aromën e jetës së vetmuar të ish-banorëve të dikurshëm. Mund të mahnitet me historinë e pusit në oborrin e saj, që deri më sot, sipas vendasve, nuk ka guxuar askush të hyjë për ta pastruar nga gurët. Në fund të pusit ka disa objekte të vjetra, që është e vështirë të dallohen nëse janë enë të zakonshme apo antikuarë të rrallë të lashtësisë.

Ndërkohë, pamja që ofrojnë afresket e fiksuara në muret e brendshme të kishës së manastirit janë të rralla dhe të mahnitshme. Kisha e Manastirit të Spilesë është e emërtuar kisha "Fjetja e Shën Mërisë" dhe ka qenë e ndërtuar nga disa familje të pasura të fshatit Tranoshisht, prandaj quhet ndryshe dhe Manastiri i Tranoshishtës. Kisha përbëhet nga Naosi me kupolë dhe me tre aniada (nefe), nga narteksi dhe nga një portik i vogël në anën jugore të saj. Disa prej objekte të vendosura në territorin e manastirit përreth kishës në fjalë kanë shërbyer si mjedise për qëndrimin e murgeshave dhe për pritjen e udhëtarëve, vizitorëve dhe besimtarëve që flinin në manastir. Disa nga muret e këtyre objekteve që kanë stilizuar arkitekturën e manastirit janë marrë nga ndërtuesit në rrënojat e qytetit antik të Antigonesë. Kisha e Shën Mërisë në Manastirin e Spilesë, në bazë të shkrimeve të vjetra që gjenden në muret e kishës, është e ndërtuar dhe pikturuar në vitin 1634. Në një mbishkrim të vendosur mbi derën e sallës qendrore të saj shkruhet në greqisht për kohën e ndërtimit dhe zbukurimit me piktura të kishës, ndërtim që, sipas mesazhit në fjalë, ka ndodhur në kohën e peshkopit Kalist dhe me kontributin e Jeromonakëve të Joasat dhe të banorëve të Saraqinishtës dhe Tranoshishtës. Ndërtimi ka përfunduar më 3 gusht të vitit 1634 dhe se aty ka dhënë kontributin e tij piktori i quajtur Mihal e të afërmit e tij. Shtesa ose paradhoma e kishës është pikturuar nga piktori Kostandin, që mendohet se është djali i piktorit të parë Mihalit dhe nga nipi i tij, Nikolla. Shtesa, sipas mbishkrimeve, ka përfunduar në vitin 1659. Një pjesë e ikonave aktualisht ndodhen në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.

Shpella e eremitëve në Antigone nuk është e vetmja e tillë në rajonin jugor të vendit. Një e tillë gjendet në Kanionin e Lekdushit në krahinën e Kurveleshit në Tepelenë, shpella e Gumenit në afërsi të Manastirit të Cepos në Gjirokastër. Gjurmë jete eremitësh gjenden edhe në Kishën e Shën Gjergjit në Dhivër, në liqenin e Prespës në Korçë, që, sipas ekspertëve të fushës, në shekujt e mëvonshëm u kthyen në kisha, sikurse është rasti i zgavrave të Manastirit të Dyzet Shenjtorëve në Sarandë.

Shpella e eremitëve vendosur në hapësirat e Manastirit të vjetër të Spilesë padyshim është një vend i rrallë dhe me mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e turizmit religjioz, historik dhe natyror, por aty, ashtu si edhe në rastin e Parkut Arkeologjik të Antigonesë, mungon infrastruktura rrugore.

Ǒjanë eremitët?

(Sipas një artikulli të Dom Albert Jakaj)

"Eremitët, nëpër shkretëtira, shpeshherë edhe pa i ushtruar publikisht këshillat ungjillore, faktikisht kalojnë një jetë të rregullt dhe pendestare në lidhje të ngushtë me Krishtin - jetë e cila ishte predikim pa fjalë dhe dëshmi e heshtur për atë kujt i kushtoheshin".

"Pak më vonë, në shekujt e parë të krishterimit, në kishën lindore filloi dhe u përhap edhe në Perëndim jeta rregulltare, e cila dallohej me përkushtim publik të këshillave ungjillore me jetë të përbashkët vëllazërore në pastërti, varfëri dhe dënesë, si dëshmi e bashkimit të hershëm të Krishtit me kishën. Rregulltaria është dhuratë e madhe, që kisha merr prej Zotit të vet - që në çdo vend mund ta shprehë dashurinë e pakufishme të Zotit ndaj nesh - me gjuhë e mjete të kohës sonë.

"Karakteristikë e përbashkët e të gjithë rregulltarëve është të veprojnë për përsosmëri të përbashkët duke iu kushtuar Zotit me vullnet të lirë tri këshilla ungjillore: varfërinë, pastërtinë dhe dënesën. Mundohen ta zbatojnë urdhrin e Krishtit, siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›