E Shtunë, 31 Tetor 2026

50 MË PAK, “vdekja” e monumenteve

“50 më pak” është ekspozita “rekuiem” e monumenteve të trashëgimisë kulturore, të cilat duket se kanë mbetur vetëm në kujtesën e pak njerëzve të këtij vendi. Një prej tyre është dhe Artan Lame, i cili memorien e tij kërkon ta ndajë me një publik më të gjerë, në mënyrë që, siç thotë dhe ai vetë, për t’iu kundërvënë procesit gërryes të harresës së asaj që ishte e që na përkiste të gjithë e të asaj që sot nuk është më e që fatkeqësisht i përket vetëm kujtimit të pakicës. Ekspozita “50 më pak” do të çelet sot në orën 18.00 në mjediset e Universitetit Europian, me shpresën se përmes saj Artan Lame do të mund të tërheqë vëmendjen te marrëzia e njerëzve që na e zhdukën atë që na përkiste të gjithëve. “Sa herë shohim të rrëzohet një monument kulture, themi ‘ra edhe një’. Pastaj kalojnë ca kohë, bie monumenti i radhës dhe ne heqim edhe një tjetër nga defteri. Mirëpo vdekja e një monumenti i ngjan asaj të njeriut, që ngjet në dy kohë. Në fillim zhduket monumenti nga faqja e dheut dhe, pastaj dalëngadalë zhduket edhe kujtimi i tij nga memoria e njerëzve. Është e dhimbshme zhdukja fizike e një monumenti, por po aq e dhimbshme është edhe zhdukja e kujtesës së tij. Pikërisht për t’iu kundërvënë këtij procesi të dytë gërryes, po përpiqem t’ju sjell në kujtesë një grup të monumentesh të trojeve shqiptare, që nuk janë më prej kohe dhe që, një pjesë e tyre, po rrezikojnë edhe zhdukjen e kujtimit të tyre. Kam përzgjedhur kryesisht kisha, godina, ura, xhami, teqe e parqe të zhdukura e të shkatërruara përgjatë gjithë shekullit XX, duke u përpjekur të mos përqendrohem vetëm në dy dekadat e fundit të tij. Për çfarë vlen një përmbledhje e tillë? Për disa gjëra. Në radhë të parë, është një shenjë respekti që, siç e meriton çdo vdekatar, e meriton edhe trashëgimia jonë e zhdukur. Veç kësaj, ashtu si varrezat e ushtarëve, të njerëzve të vrarë falë marrëzisë së njerëzve të tjerë, edhe kjo varrezë e trashëgimisë vlen për të na tërhequr vëmendjen te marrëzia e njerëzve që na e zhdukën atë.

Edhe diçka e fundit. Kjo përmbledhje sjell 50 prej këtyre monumenteve të zhdukura, por, për fat të keq, lista e të zhdukurve është shumë më e gjatë dhe, për fat edhe më të keq, vazhdon të zgjatet ende para syve tanë”- fton Lame publikun në ekspozitën “50 më pak”

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›