E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Borana” ngjit pas 27 vjetësh Anvi Mulën në skenë

SHKRUAN: Aida Tuci 28-02-2011 11:17

“Borana”, opera e kompozuar para 27 vitesh nga Avni Mula, u rikthye mbrëmë në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit në një këndvështrim jo aq ndryshe nga origjinali. Gjithçka ndodh brenda mureve të një kështjelle dhe ngjarjet janë zhvendosur dikur nga vitit 1448, koha kur Sullat Murati II ka nisur betejat ndaj Arbërisë. Një vrasje ndodh brenda mureve të kështjellës e pikërisht këtu nis të evidentohet karakteri i Boranës, vajzës së një prej luftëtarëve të principatës. Pas humbjes së babait dhe vëllait (meshkujve të familjes), Borana “bëhet” burrë për të mbrojtur familjen dhe vendin nga pushtuesit osman. “Për herë të parë Borana është vënë në skenë në vitin 1984, ku kanë interpretuar artistët më të mirë të Teatrit të Operas dhe Baletit, vetëm unë isha më i riu atëherë. Pas kaq vitesh kjo vepër rivjen me një tempo-ritëm tjetër, vepra është ngushtuar përsa i përket tempo-ritmit, duke i dhënë asaj disa kuptime, në mënyrë që të fitohet më shumë dramacitet”- shprehet regjisori i saj Nikolin Gurkuqi. Por ajo që e bën këtë vepër t’i rezistojë kohës është padyshim kompozitori Avni Mula, i cili e përcjell njësoj emocionin si 27 vite më parë, kur ngjitej për herë të parë opera Borana në skenë. “Kur shkrova muzikën, ajo që më nxiti ishte libreti dhe patriotizmi i tij si dhe jeta e kësaj familjeje. Borana burrneshë qëndron kundër atyre që dëmtojnë atdheun. Vepra udhëhiqet nga një krenari njerëzore, dhe unë jam munduar që me muzikën time ta ndjek çdo varg siç duhet dhe besoj se kam dhënë maksimumin. Gjithë historia rrëfehet përmes Boranës, e cila është në skenë gjatë gjithë kohës. Në fillim të veprës ndodh një vrasje dhe pas kësaj intrigat dhe shpërthimet e ndryshme e bëjnë këtë vepër sa të veçantë aq dhe realiste. Edhe këtë herë Borana do të jetë po aq origjinale sa atëherë”- shpreh emocionet e tij kompozitori Avni Mula, i cili, sot 83 vjeç, i është rikthyer skenës me të njëjtën energji si dikur, sepse opera është vetë jeta për të dhe aq më shumë Boranën dhe gjithë historinë e familjes së saj ai e sheh si historinë e familjes së tij, si historinë e jetës së tij, kur ai ishte vetëm 2 vjeç e u detyrua për shkak të luftës të largohej nga Gjakova për të jetuar në Shqipëri. Ndërsa për drejtorin e Teatrit të Operas dhe Baletit, Zhani Ciko, sjellja në skenën e TKOB-së e autorëve dhe veprave shqiptare është bërë tashmë një traditë që do të vazhdojë. ”Jemi përpara festimeve të 100-vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar, të Pavarësisë, dhe me operan ‘Borana’ nisin një seri veprash shqiptare që do të vijnë për të kulmuar me këtë ditë të shënuar. ‘Borana’ vjen në skenën e operas në vijim të vazhdës së rikthimit të veprave të kompozitorëve shqiptarëve” - shprehet maestro Zhani Ciko. Opera “Borana” u ringjit mbrëmë në skenë nën interpretimin e: Armaldo Kllogjeri, Emiljana Palushaj, Sokol Hidersha, Genc Vozga, Erlind Zeraliu, Sokol Tomorri, Solen Alla, Ogert Islami, Luan Sula, Dionis Delia, Julian Gjojdeshi, Ardian Kamberi etj. Ajo do të ngjitet sërish në datat 1-3 mars për publikun, për të risjellë edhe një herë një nga krijimet më unikale të kompozitorit Avni Mula, por edhe libretin e mrekullueshëm të shkruar nga miku i tij Gjergj Zheji. “Borana” u vu në skenë me regji të Nikolin Gurakuqit, skeongrafi të Platon Bardhit, kostumet e Edlira Qyshkës, dirigjent Dritan Lumshi dhe dirigjent kori Valmir Xoxa.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›