Siguria ushqimore, metoda të reja kontrolli
Prodhimi dhe konsumimi i produkteve ushqimore cilësore ishte tema e konferencës së djeshme të zhvilluar nga Instituti i Shëndetit Publik. Qëllimi i këtij projekti është rritja e njohurive të vlefshme për garantimin e sigurisë ushqimore në Shqipëri në mbrojtje të shëndetit publik. "Prodhimi dhe përdorimi i ushqimeve është pjesë esenciale e çdo shoqërie dhe reflekton kthesa të mëdha ekonomike e sociale. Këto aspekte duhet të merren në konsideratë të zhvillimit të politikave të ushqimit, ndërsa mbrojtja e shëndetit është gjithashtu prioritet madhor", tha ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Ky projekt përfshin trajnimin, zhvillimin e sistemit të informimit, si dhe implementimin e metodave moderne për të konstatuar rreziqet që vijnë si pasojë e përdorimit të produkteve ushqimore të pakontrolluara. Synimi i përdorimit të metodave bazë për kontrollin e sigurisë së ushqimeve është të rrisë njohuritë, aftësitë dhe ekspertizat në fusha të tilla, si praktika të mira higjienike dhe implementimin e sistemit të sigurisë ushqimore, në të cilat Shqipëria ka mundësi të kufizuara. Forcimi i institucioneve të kontrollit ushqimor në Shqipëri është në linjë me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Bashkimit Europian, të cilët theksojnë rëndësinë e përafrimit të ciklit të mbyllur të sistemit të sigurisë ushqimore "nga ferma te piruni", si dhe një sistem monitorimi për rreziqet e sëmundjeve.
Sh.Me.