E Shtunë, 31 Tetor 2026

50 vjet të Bondit

Më 16 janar u bënë plot 50 vjet nga fillimi i xhirimit të filmit të parë “Dr. No”, të serialit për agjentin e famshëm James Bond. Askush asokohe as që e kishte menduar se atë ditë po lindte një legjendë filmike.

Elementet që filmat për James Bond i bënë më të suksesshmit në historinë e kinematografisë janë gjithmonë të njëjta. Agjenti i pagabueshëm 007, në shërbim “të madhërisë së saj”, i cili përveç që di të gjitha truqeve, aftësive dhe dredhive, ka edhe një dukje të shkëlqyeshme, edhe 50 pas lindjes së tij vazhdon të mbushë sallat e kinemasë kudo nëpër botë.

E tëra filloi më 16 janar 1962, kur në Xhamajka filloi xhirimi i ‘Bondit’ të parë, të titulluar “Dr. No”.

Gjysmë shekulli më vonë, kult gjenit britanik, gjegjësisht shpëtimtari i botës dhe pushtuesi i zemrave të një armate femrash, nuk ka humbur asgjë në atraktivitet. Tashmë po xhirohet “Skyfall”, që në fakt është pjesa e 23’të e serialit për agjentin James Bond, dhe ajo pritet që nëpër kinema të shfaqet diku në vjeshtën e këtij viti. Për herë të tret agjentin 007 e luan aktori Daniel Craig, i cili pas Sean Connery, Roger Moore, George Lazenby, Timothy Dalton dhe Pierce Brosnan, është aktori i gjashtë që sprovohet në rolin “e të licencuarit për vrasje”.

Tashmë është shndërruar në ngjarje legjendare koketimi i Bond me sekretaren e tij, Moneypenny, njësoj sikurse edhe bukuroshet e Bond’it, ‘lojërat’ e rafinuara teknike të ekspertëve të tij për armatim dhe pajisje, përfshirë këtu edhe pijen e tij të preferuar Martini-Votka (e tundur, e jo e përzier) që e pi tash sa dekada. Megjithëse, pas kontratës multi-milionë dollarëshe me Sony Entertaniment dhe Coca-Cola, agjentit 007 iu desh të kalojë në pije joalkoolike dhe me pak kalori.

Po të shikohen filmat e fundit për agjentin 007, është vështirë të paramendohet se filmi për agjentin e Mbretëreshës dikur xhirohej me një buxhet relativisht të ulët. Edhe pse disa miliona dollarë asokohe dukeshin shumë goxha e majme, gjatë xhirimeve duhej kursyer mjaft në detaje që atëherë nuk konsideroheshin aq me rëndësi.

Sot, punën e producentëve e kanë marrë përsipër fëmijët e producentit të parë të serialit, Albert R. Broccoli. Që nga mosha e tyre rinore, i biri i tij Robert dhe vajza Barbara ishin pjesë e produksionit – qoftë si etatistë në film qoftë si asistentë të regjisë.

Gjykuar sipas asaj që ndodhi në këto 50 vjet, do të nevojitet edhe një numër i konsiderueshëm i vazhdimeve të serialit, e mbase edhe i artistëve të rinj që do ta shqiptojnë fjalinë e famshme: “Emri im është Bond, James Bond”, para se të fillojë të bie interesimi i publikut për agjentin 007.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›